Telegrafi

BE miraton një paketë miliardësh për pasojat ekonomike nga pandemia COVID-19

Samiti i BE miratoi paketën prej 540 miliardë euro për mbështetje për kredi për punëtorët që punojnë me orë të reduktuara, kompanitë që kanë marrë kredi dhe për shtetet që kanë borxhe.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se kanë në dorë një instrument të rëndësishëm për të ndihmuar shpejt dhe në mënyrë efektive.

Për shkak të garancive nga ana e shtetit, paketa duhet të miratohet edhe prej Bundestag-ut.

Kryeministri italian Giuseppe Conte, i cili kishte rezerva në lidhje me ndihmën nga paketa e shpëtimit të euro ESM, nuk e kundërshtoi këtë marrëveshje.

Ndihma pritet të jetë gati deri më 1 qershor. Po ashtu krerët e shteteve dhe të qeveritë diskutuan edhe për një program stimulimi ekonomik për nxitjen e ekonomisë. Megjithatë ende nuk dihet se si do të strukturohet fondi i rimëkëmbjes, pra përmes granteve apo kredive.

“Nëse bie një pjesë e Evropës, e gjithë Evropa do të bjerë”

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte dëshiron që fondi i zhvillimit të ketë 1.5 bilion euro. Paratë duhet të ofrohen si “subvencione”, citojnë agjencitë italiane të lajmeve Conten. Për këtë Komisioni i BE-së duhet të paraqesë një propozim “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Presidenti francez Emmanuel Macron pret që diskutimet për fondin do të jenë të vështira për shkak të mosmarrëveshjeve dhe kufizimeve politike. Në të ardhmen do të nevojiten programe masive për ndihma. Macron tha se “nevojitet një reagim solidar, i organizuar dhe i fortë për shkak të përmasave të kësaj tronditjeje. “Nëse bie një pjesë e Evropës, e gjithë Evropa do të bjerë,” paralajmëroi ai. /DW/