Vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, ka sjell përplasje dhe paqartësi ndërmjet Ministrisë së Financave (MF), Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK) dhe opozitës.
Dhjetëra qytetarë nga gjithë vendi kanë reaguar, duke mos u pajtuar me këtë vendim.
MF-ja me anë të një reagimi publik, është shprehur se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
“Bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”, thuhet në arsyetimin e MF-së.
Mirëpo, një arsyetim i tillë nuk është pranuar nga AKK-ja, duke thënë se kjo rritje nuk vjen nga komunat.
Sipas tyre, vlera e pronës për metër katror përcaktohet nga MF-ja, përkatësisht Departamenti i Tatimit në Pronë, ndërsa norma tatimore përcaktohet nga komunat.
“Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë”, theksohet në reagimin e AKK-së.
Po ashtu, Komuna e Prishtinës njofton se ngritja e çmimit të tatimit në pronë është bërë nga MF-ja.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë reagime rreth ngritjes së çmimeve të Tatimit në Pronë, e cila i është atribuuar Komunës së Prishtinës. E kuptojmë plotësisht shqetësimin tuaj, por me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth këtij procesi, ju informojmë se autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave”, thekson komuna.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa ka thënë se dyfishimi i tatimit në pronë do të ju rëndojë edhe më tej gjendjen qytetarëve.
“Në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me një goditje shumë të rëndë të standardit të jetesës si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, Qeveria e Kosovës paska vendosur ta dyfishojë tatimin në pronë për shumë qytetarë, duke ua rënduar edhe me tej gjendjen veç se të rënduar ekonomike”, thuhet në reagimin e Mustafës.
Ai thotë se kjo politikë e Qeverisë së Kosovës është për t’i ngarkuar qytetarët me tatime më të larta në këtë kohë krize është vështirë e kuptueshme.
“Me politika si kjo, Qeveria e Kosovës po dëshmon se është duke jetuar e shkëputur nga realiteti i zymtë ekonomik që po mbretëron në Kosovë”, ka përfunduar ai.
Ndërsa, Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që MF-ja të pezullojë vendimin për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, duke shtuar se kjo është një barrë për qytetarët në këtë kohë të krizës ekonomike.
“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend”, pohon LDK-ja.
“Me këtë shkallë enorme të inflacionit, në mungesë të rritjes së ardhurave, në rëndesë ekonomike, kjo politikë e Qeverisë na shpërfaqet si një tjetër dështim i madh. Në kohë të papërballueshmërisë, ky është një veprim tjetër i papërgjegjshëm i pushtetit që tashmë veçse është larguar nga qytetari”, përfundon reagimi.
Në fund, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se me rritjen e tatimit në pronë është sulm ndaj qytetarëve.
Tahiri ka thënë se efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.
“Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët”, ka shkruar Tahiri.
“Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve. Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/