Telegrafi

Ministria e Mbrojtjes shpall tender prej 2 milionë eurove për furnizim me çizme verore e dimërore për ushtarët e FSK-së

Ministria e Mbrojtjes ka hapur sot tender për “Furnizim me Çizme ushtarake” për nevoja të FSK-së.

Sipas njoftimit për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), vlera e këtij tenderi është parashikuar të jetë  2 milionë euro.

“AK i MM-se ka për qellim qe te lidhe një kontratë kornizë 36 muajsh , me një OE qe do te ketë kapacitet, ekonomik, teknik dhe profesional te kryej furnizimet me çizmet ushtarake verore dhe çizme ushtarake dimërore për nevoja të FSK-së, sipas kërkesës dhe nevojave te AK, në përputhje të plot me specifikat teknike të dhëna ne DT aneks 1 (specifikacioni teknik i detyrueshëm )”, thuhet në përshkrimin e lëndës së kontratës.

Kohëzgjatja publike e kontratës është 36 muaj, shkruan Telegrafi.

Sasia e furnizimit me çizme brenda 36 muajve do të jetë 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.

Më tej në përshkrim të kushteve të veçanta në kontratë, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar që produktet të jenë të kualitetit të lart dhe në përputhje të plotë me normat dhe standardet e ISO të vendosura në specifikimet teknike.

“Produktet duhet të përmbajnë tiketa mbi mirëmbajtjen (kushtet e ruajtjes). Çdo palë e çizmeve duhet të jetë e paketuar origjinal nga prodhuesi, Qepja e çizmeve duhet të bëhet komforë numrave standard Evropian. Garancioni i çizmeve minimumi 45 muaj pas pranimit teknik. Madhësia e artikujve duhet të jetë 36 deri 48 apo numra relevant sipas standardeve për të gjithë artikujt”, thuhet në përshkrimin e kushteve të veçanta të kontratës.

Kompanitë e interesuara për të kryer këtë furnizim kanë afat që të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 19 maj, në orën 14:00.

“Në bazë të aplikacioneve të pranuara më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të ri-ekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/