Telegrafi

Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Rusët kanë mobilizuar 500 mijë burra, mund të nisin një ofensivë të re më 24 shkurt

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, ka paralajmëruar se Rusia po përgatit një ofensivë të re që mund të fillojë më 24 shkurt, në përvjetorin e parë të pushtimit rus.

Ai pretendon se Rusia ka përgatitur mijëra ushtarë dhe mund të “provojë diçka” për të shënuar përvjetorin e fillimit të luftës, raporton BBC.

Ofensiva e re në atë ditë do të shënonte edhe festën ruse të mbrojtësve të atdheut më 23 shkurt, e cila i kushtohet ushtrisë ruse.

Reznikov tha se Moska kishte mobilizuar rreth 500 mijë trupa për një ofensivë të mundshme, transmeton Telegrafi.

Shtatorin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi mobilizimin e rreth 300 mijë rezervistëve për luftën në Ukrainë, duke deklaruar se mobilizimi ishte i nevojshëm për të “ruajtur integritetin territorial” të Rusisë.

Lexo po ashtu Krerët e Bashkimit Evropian mbërrijnë në Kiev, mësohen se çfarë do të diskutojnë

Megjithatë, Reznikov sugjeron se numri aktual i të mobilizuarve mund të jetë dukshëm më i lartë.

“Ata shpallën zyrtarisht 300 mijë, por kur shohim forcat e mbledhura në kufi, vlerësojmë se është një numër shumë më i lartë”, tha Reznikov për televizionin francez BFM.

Pavarësisht luftimeve të ashpra në rajonin lindor të Donbasit, lufta ka hyrë në një lloj ngërçi në muajt e fundit, domethënë që kur Ukraina çliroi qytetin jugor të Khersonit.

Me përjashtim të pushtimit rus të qytetit ukrainas Soledar, asnjëra palë nuk ka bërë përparim të rëndësishëm.

Por një ofensivë pranverore ruse, ashtu si kundërsulmi i Ukrainës, është konsideruar prej kohësh i mundshëm.

Lexo po ashtu Autoritetet ukrainase në 'luftë' edhe me korrupsionin, policia bastis shtëpinë e njeriut më të pasur në Ukrainë

Instituti amerikan i sigurisë dhe mbrojtjes për Studime të Luftës, kohët e fundit njoftoi se Moska mund të “marrë një veprim vendimtar” dhe të nisë një “ofensivë të madhe” në lindje të vendit.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes tha se komandantët ukrainas do të ngarkohen me “stabilizimin e vijës së frontit dhe përgatitjen për një kundërofensivë” përpara ofensivës së pritshme ruse.

“Unë besoj se ky vit do të jetë viti i fitores sonë ushtarake”, pohoi Reznikov, duke shtuar se forcat ukrainase “nuk duhet të humbasin iniciativën” që kishin në muajt e kaluar.

Reznikov vizitoi Francën për të arritur një marrëveshje për blerjen e radarëve shtesë të mbrojtjes ajrore MG-200, të cilat ai tha se do të “rrisnin ndjeshëm aftësinë e forcave të armatosura për të zbuluar objektivat ajrore, duke përfshirë raketat balistike dhe dronët e ndryshëm”. /Telegrafi/