Ministri gjerman për Evropë, Michael Roth ka thënë se Gjermania do të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Roth në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se shpreson që në Bashkimin Evropian së shpejti do të arrijnë një vendim për këtë.
“Unë e pres me gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Qeveria Kurti ka prezantuar një program shumë ambicioz në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Ky është një sinjal i fortë dhe qeveria mund të llogaris me mbështetjen tonë.
Përveç kësaj, Gjermania do të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë. Unë shpresoj që ne në BE së shpejti do të arrijmë një vendim për këtë dhe do ta realizojmë sa më shpejt. Mbi të gjitha, një qëllim që vazhdon të largohet gjithë e më shumë kërcënon të kthehet në mirazh – dhe kështu të humbasë fuqinë e tij tërheqëse dhe transformuese”, ka thënë Roth. /Deutsche Welle/