Ministri i Jashtëm i Ukrainës, ka bërë të ditur se trupat ruse kanë ekzekutuar civilë ukrainas derisa po tërhiqeshin nga rajone të ndryshme – duke shprehur mllefin e tyre të shfrenuar.
Dmytro Kuleba e ka cilësuar Rusinë si më “të zezë se ISIS-i”, duke theksuar se ushtria ruse ka kryer masakër mbi civilët në Bucha, transmeton Telegrafi.
“E kuptojmë se kanë vrarë civilë derisa janë larguar, tërhequr, por edhe sa kishin qëndruar në Bucha dhe qytete tjera në rajonet kyçe, por nuk kanë pasur ndonjë arsye për këtë. Ata nuk ishin guerilë, nuk i kanë kundërshtuar. Rusia është më e zezë se ISIS-i”, ka shtuar ministri i Jashtëm ukrainas.
Kuleba ka pranuar se janë duke mbledhur prova për gjykatën ndërkombëtare, ku do të prezantohen ato si prova kundër Rusisë për krim dhe gjenocid mbi civilët ukrainas. /Telegrafi/