Ahmed Hossam Hussein Abdelhamid, i njohur më mirë në botën e futbollit si Mido, ka analizuar gjendjen e Mohamed Salah në Liverpool dhe ka pranuar se klubet elitare si Real Madridi janë vënë pas nënshkrimit të sulmuesit.
Ish-lojtari i Ajaxit, Tottenhamit e Celta Vigos beson se e ardhmja e sulmuesit do të jetë në Spanjë dhe më saktë në Real.
“Real Madrid e duan atë dhe ne kemi parë të gjithë shfaqjet e dobëta të Gareth Bale dhe Karim Benzema me formacionin 4-4-2”, ka thënë fillimisht Mido në një intervistë me King Fut.
“Kisha frikë se Salah do të dështonte në Liverpool, por unë mendoj se ai është gati të hidhet në nivelin e radhës”.
“Real Madridi mund të përdorë aftësitë e tij”.
Që nga ardhja e Salah në Anfield, sulmuesi ka befasuar të gjithë duke shënuar 30 gola në Ligën Premier dhe 10 tjerë në gara evropiane.
Megjithatë, kjo nuk e ka befasuar edhe Midon, i cili kishte vetëm fjalë të lavdërueshme për 25-vjeçarin.
“E di se shumë njerëz nuk do të pajtohen me mua për këtë, por sipas mendimit tim, Mohamed Salah është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit egjiptian”, përfundoi ish-ylli egjiptian. /Telegrafi/