Telegrafi

Meta vazhdon me akuza ndaj kreut të SPAK-ut: Palaço, mos u fshih pas amerikanëve

Ndonëse Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë reaguan së fundi duke mbrojtur institucionet e drejtësisë nga sulmet e ditëve të fundit, Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta nuk është ndalur.

Në një konferencë me gazetarët, Meta sot nga selia e Partisë së Lirisë ka hedhur sërish akuza të forta në drejtim të KLP-së, si edhe Altin Dumanit, kreut të Prokurorisë së Posaçme SPAK që e quan “Dum Dumani”.

Me tone të ashpra, ai akuzoi Altin Dumanin se i ka çuar njerëz që t’i mbushin mendjen që të largohet nga Shqipëria, teksa flet se kreu i SPAK është urdhëruar nga SHBA-ja që ta arrestojnë.

Lexo po ashtu Sulmet ndaj SPAK, reagon ambasada e SHBA-ve në Tiranë: Qëndrojmë krah profesionistëve që synojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë

“Mbështes deklaratën e SHBA-së, akoma dhe më fuqishëm, KLP-ja quhet ajo, dje ua sqarova si është krijuar KLP-ja, është krijuar mbi bazë të emërimeve të bëra nga Arta Marta që u bë prokurore e përgjithshme në kundërshtim me Kushtetutën, ua kam thënë dhe miqve dhe aleatëve, prokurorinë e keni ju dhe Rama, te GJK jam unë president dhe këtu nuk ka shaka. Dhe këtu vijmë te Dumani. E para po u kërkoj ndjesë prokurorëve të SPAK që nuk janë si ai, se unë e kam thënë që te SPAK ka Dum Duman, por edhe që luftojnë krimin dhe korrupsionin, nuk ka njeri në prokurori që nuk e di se ça mbështetje i kam dhënë grupit të prokurorëve që merrej me çështjen Hajdari. Ke çuar njerëz që të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria, pse ça jam unë, pse o palaço ka frikë Ilir Meta nga burgu yt, po unë nga burgu do e shpërbëj këtë grup kriminal.

I them Dum Dumanit, ke përmendur tri herë emrin tim, i ke çuar edhe njerëz të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë. Gjëmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time, e do të marrësh PL t’ia japësh atij torollakut (Edi Ramës). Nuk nxorëm mend nga lulushët ne?”, tha Meta.

Duke e etiketuar si “palaço”, ai tha se Altin Dumani nuk arreston Erion Veliajn dhe Edi Ramën, që janë në krye të aferës së inceneratorëve.

“Merresh me këto punë se nuk ke takat të arrestosh Erion Veliaj, se ju mbyti me favore, nuk ke takat të thërrasësh Edi Ramën, o palaço, mos u fshih pas amerikanëve, se ka amerikanë të ndershëm, ka dhe McGonigal fundërrina, por unë jam nga rraca e Vojo Kushit”, u shpreh Meta. /Telegrafi/