Lionel Messi arriti t’i shënojë për herë të parë gol gjigantit anglez Liverpool.
Ishte ndeshja e katërt në karrierë për Messin që përballej me The Reds dhe në këtë takim argjentinasi arriti t’i shënojë dy gola në fitoren e Barcelonës 3-0.
31-vjeçari ndaj Liverpoolit arriti edhe shifrën magjike prej 600 golave të shënuar në karrierë.
Por argjentinasi nuk i ka shënuar të gjitha skuadrave me të cilat është përballur, pasi nëntë nga to nuk i kanë shijuar golat e ‘Xhuxhit magjik’.
Njëra nga këto nëntë skuadra që Messi nuk i ka shënuar gol është Interi, pasi nga katër përballje me zikaltërtit, argjentinasi nuk e ka gjetur rrjetën.
Skuadra tjetër italiane Udinese gjithashtu nuk ka pësuar asnjëherë gol nga Messi, edhe pse bardhezinjtë janë përballur vetëm dy herë me argjentinasin.
Benfica dhe Rubin Kazan janë dy skuadrat tjera evropiane që janë përballur me Barçën në Ligën e Kampionëve dhe nuk kanë pësuar gola nga gjeniu Messi.
Ndërkohë ekipi nga Katari, Al Sadd gjithashtu është përballur me Barcelonën në Kupën e Botës për klube dhe nuk kanë pësuar nga Messi gol.
Në anën tjetër janë katër ekipe në Spanjë që Messi ka luajtur përballë tyre një ose dy ndeshje dhe nuk ka arritur t’i shënoj gola pasi këto skuadra tanimë luajnë në rangje më të ulëta të garave.
Uda Gramenet, Cadiz, Real Murcia dhe Xerez janë ekipet e vetme spanjolle që janë përballur me Messin dhe nuk kanë pranuar gola. /Telegrafi/