Lionel Messi beson se dueli i tij me Cristiano Ronaldon në La Liga ka qenë i veçantë do të mbetet përgjithmonë në mendjet e njerëzve, pavarësisht kalimit të tij në Serie A .
Me Messin në krye të Barcelonës dhe Ronaldos te Real Madridi nga viti 2009 deri në vitin 2018, dy yjet dominuan futbollin botëror për të fituar të gjitha trofetë ekipor dhe individual, përveç një Topi të Artë nga 12 sosh, të fituar nga Luka Modric në vitin 2018 .
Messi mendon se jetëgjatësia dhe intensiteti i rivalitetit të tij me Ronaldon ishte një pikë e theksuar dhe se tifozët nuk do t’i harrojnë betejat e tyre edhe pse Ronaldo tani është duke bërë karrierë te Juventusi.
“Ishte një duel i veçantë dhe do të mbetet përgjithmonë, sepse zgjati shumë vite dhe nuk është e lehtë të ruash nivele të caktuara për një kohë të gjatë. Plus, skuadrat në të cilat kemi luajtur ishin gjithashtu shumë kërkuese, si Real Madridi ashtu edhe Barça, dy më të mirat në botë”, ka thënë fillimisht Messi për DAZN.
“Duke garuar në një pozitë të barabartë për kaq shumë vjet, unë mendoj se do të mbetet përgjithmonë në mendjen e njerëzve”.
“Dueli sportiv midis nesh ishte shumë i bukur në nivel personal dhe mendoj se njerëzit gjithashtu argëtoheshin, qoftë nga Madridi apo nga Barça, apo edhe vetëm tifozë të futbollit në përgjithësi”.
“Natyrisht kur Cristiano ishte në Real Madrid, ndeshjet [El Clasico] ishin gjithmonë të veçanta”, shtoi argjentinasi.
“Ndeshjet kundër Realit gjithmonë nënkuptojnë shumë, por kur Cristiano ishte aty ato u bënë shumë më të veçanta”.
“Por, është një kohë që ka kaluar tani, që e kemi përjetuar. Tani duhet të shohim përpara për të ardhmen”, përfundoi kapiteni i Barçës. /Telegrafi/