Fabrice Pancrate ka thënë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të jenë në Paris Saint-Germain dhe do të kenë trajner Pep Guardiolan në vitin e ardhshëm.
Messi i ka thënë Barcelonës se dëshiron të largohet dhe argjentinasi ka në plan të takojë bordin e klubit për të diskutuar largimin në kushte të mira.
Sipas gazetës L’Equipe, drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo kontaktoi babanë e 33-vjeçarit, Jorgen, për të pyetur rreth situatës së tij para se të thuhej se gjashtë herë fituesi i Topit të Artë ka zgjedhur të bashkohet me Manchester Cityn.
Sidoqoftë, Pancrate, i cili luajti për PSG-në midis viteve 2004 dhe 2009, beson se kampionët e Ligue 1 kanë një ‘masterplan’ i cili përfshin jo vetëm Messin, por gjithashtu edhe Guardiolan dhe yllin e Juventusit, Ronaldo.
“Unë do t’ju them atë që mendoj. Përtej vetë qytetit- sepse Mançesteri është i shëmtuar, është errët, bie shi – ka shumë gjëra që më bëjnë të them që Messi po shkon në Paris”, ka thënë fillimisht Pancrate për Le Parisien.
“Dhe Ronaldo do të bashkohet me të në vitin 2021. Edhe Guardiola gjithashtu”.
“Mendoj se Guardiola dhe Messi kanë folur me njëri-tjetrin më parë. Guardiola duhet t’i ketë thënë atij: Ne do të përziejmë gjërat. Unë të dua ty te Mançester, por shko në Paris dhe mos u shqetëso, vitin e ardhshëm do të bashkohemi atje”.
“Unë e shoh atë të ndodh. Dhe slogani i PSG-së – “le të ëndërrojmë shumë”, ka kuptim të përsosur!”.
“Do të ishte skuadra e parë në botë që do të bashkonte katër alienë: Ronaldo, Messi, Neymar, Mbappe. Me një trajner të çmendur”, përfundoi ish-lojtari i PSG-së. /Telegrafi/