Telegrafi

“Messi është më miri” – Xavi i bindur se Ronaldo nuk e meritoi Topin e Artë

Cristiano Ronaldo nuk e meritoi ta fitonte Topin e Artë për vitin 2016 – ka thënë legjenda e Barcelonës, Xavi.

Superylli i Real Madridit, të hënën e fitoi për të katërtën herë çmimin prestigjioz duke marrë më shumë se dyfishi i votave të konkurrentit të tij më të afërt – që ishte Lionel Messi.

Megjithatë, dikur bashkëlojtari i argjentinasit mendon se vlerësimi ka qenë i gabuar dhe se titulli duhej të shkonte te superylli i Barcelonës.

“Ata i kanë marrë parasysh trofetë e mëdha, por kanë qenë vite të tjera kur nuk i kanë marrë parasysh ato për ta ndarë çmimin e lojtarit më të mirë në botë”.

“Leo Messi është më i miri, përkundër trofeve që ka mundur t’i fitojë dikush tjetër”, ka deklaruar Xavi për TV3.

Zënka e mesfushorit spanjoll me Ronaldon u forcua më shumë në muajin shtator kur shkroi: “Për këdo që e pëlqen futbollin, Messi është lojtari më i mirë në botë”.

Ndërsa CR7 ishte përgjigjur: “Të gjithë e dinë se kushdo që dëshiron të arrijë në ballina të gazetave duhet të flasë për mua. Xavi nuk e ka fituar asnjë Top të Artë. Unë i kam fituar tri herë (tash katër)”. /Telegrafi/