Lionel Messin nuk ka mundur ta pranonte që Barcelona humbi në atë mënyrë nga Osasuna, në ditën kur Real Madridi triumfoi ndaj Villarrealit dhe e fitoi titullin e La Ligas për sezonin 2019/2020.
Duke folur për Movistar +, superylli argjentinas ka kërkuar që të bëhen ndryshime para rifillimit të ndeshjeve të Ligës së Kampionëve që do të zhvillohen në muajin gusht.
“Jua them se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, nuk do të avancojmë në Ligën e Kampionëve, ashtu si nuk ishim aq të mirë për ta mbrojtur titullin e La Ligas. Duhet të bëjmë shumë ndryshime nëse duam sukses dhe duhet ta analizojmë mirë vetveten.
“E humbën titullin si pasojë e mangësive tona dhe jo për atë që ka bërë Real Madridi, siç thonë shumë njerëz”, ka deklaruar lojtari më i mirë i Barcës.
“Të jem i sinqertë, kjo nuk është mënyra si kemi dashur të përfundojnë gjërat, por ndeshja e sotme (e enjte) është një pasqyrë e gjithë sezonit tonë. Kemi qenë të dobët dhe të lëndueshëm… Humbëm shumë pikë gjatë rrugës dhe kjo e përmbledh sezonin tonë”.
“Real Madridi e bëri atë që duhej të bëjë nga rifillimi i sezonit dhe nuk lëshoi asnjë pikë, ne u ndihmuam duke humbur pikët që nuk duhej t’i lëshonim. Duhet ta shikojmë veten. Ne jemi Barcelona dhe duhet të fitojmë gjithçka”, ka thënë më tej Messi. /Telegrafi/