Telegrafi

Mësohet arsyeja pse Ibrahimovic përmendi vudunë dhe nënën e Lukakut gjatë incidentit

(Foto: Screenshot/Twitter/DAZN/livescience)

Zlatan Ibrahimovic ka mohuar se e ka abuzuar Romelu Lukakun në aspektin raxor duke theksuar se komenti vudu (‘voodoo’) i referohej një incidenti specifik nga koha kur sulmuesi belg luante për Evertonin.

Dikur bashkëlojtarë te Manchester Unitedi, Ibra dhe Lukaku u përfshinë në një zënkë gjatë derbit të Milanos, ndërmjet Interit dhe Milanit, që u zhvillua të martën mbrëma në kuadër të çerekfinales në Kupën e Italisë.

Sulmuesi i Nerazzurrëve besohet t’i ketë thënë atij të Rossonerëve që të takoheshin pas lojës, ndërsa Ibrahimovic ka qeshur duke ia kthyer: “Në rregull, thirre edhe nënën”.

Kjo e ka nxitur akoma më shumë Lukakun, derisa Zlatan ka sqaruar me fjalët: “Bëje vudunë tënde të shpifur”.

Edhe pse është komentuar si frazë raciste, korrespodentët e Sky Sport Italia nga Milano pohojnë se Ibrahimovic ka mohuar çfarëdo ofendimi racist.

Lexo po ashtu Ofendim raciste dhe me familje: Mësohet se çfarë i thanë njëri tjetrit Ibrahimovic e Lukaku që zënka shkoi aq larg

Besohet se 39-vjeçari i është referuar një thënie nga aksionari kryesor i Evertonit, Farhad Moshiri, i cili në janar të vitit 2018 kishte thënë se Lukaku e ka refuzuar kontratën e re për shkak të një “mesazhi vudu”.


Vudu (voodoo) është një religjion që rrjedh nga politeizmi afrikan dhe nga adhurimi i paraardhësve, ndërsa praktikohet në disa pjesë të Karaibeve dhe në Amerikën Jugore. Kombinon elemente të ritualeve të katolicizmit me ritet tradicionale magjike dhe religjioze afrikane, ndërsa karakterizohet nga  magjia dhe posedimi i shpirtit.


“I ofruam marrëveshje më të mirë se Chelsea dhe agjenti i tij erdhi në Finch Farm për ta nënshkruar kontratën. (Shefi ekzekutiv i Evertonit) Robert (Elstone) ishte aty, gjithçka ishte gati, jashtë ishin disa gazetarë, pastaj në takim, Rom i telefonoi nënës së tij”.

“Ai tha se ishte në një pelegrinazh në Afrikë ose diku dhe se kishte një vudu dhe kishte marrë mesazh sipas të cilit duhej të shkonte te Chelsea”, kishte deklaruar para tre vitesh Moshiri.

Lukaku ka mohuar të ketë ndodhur kjo, ndërsa asokohe i ishte bashkuar Manchester Unitedit në vend të Chelseat (ku kishte luajtur më herët). Madje, belgu e kishte kërcënuar me padi shefin e Evertonit për shpifje.

Lexo po ashtu Përballje e ashpër mes Lukakut dhe Ibrahimovict - eskalon edhe në fyerje

“Vendimi i Romelut nuk ka pasur të bëjë me vudunë. Ai e distancon veten nga këto besime dhe nga kjo deklaratë, ndërsa ne do t’i shqyrtojmë hapat ligjorë që mund të ndërmerren lidhur me këtë çështje”.

“Romelu është katolik dhe vudu nuk është pjesë e jetës apo besimeve të tij. Ai thjesht nuk ka pasur besim te Evertoni e as besim te projekti i z. Moshirit. Për këtë arsye nuk ka dashur të nënshkruajë me çfarëdo kushti”, kishte deklaruar asokohe një përfaqësues i lojtarit për BBC Sport.

Sidoqoftë, ngjarja kishte qenë kryetemë në mediat sportive dhe është e qartë se Ibrahimovic e ka ruajtur për ta përdorur në një situatë që do ta nevrikoste belgun. /Telegrafi/