Telegrafi

Mesazhi i Remzie Osmanit pasi Dua vallëzoi nën ritmet e këngës së saj: Kënaqësi të shohësh një yll botëror që është kaq modeste dhe nuk e harron as vendin as gjuhën e as muzikën shqipe

(Foto: Instagram/dualipa/remzie.osmani)

Ndërkohë që po i vazhdon pushimet në Shqipëri, Dua Lipa ka qenë aktive në rrjetet sociale me publikimin e fotografive dhe videove nga çastet e këndshme që po i kalon atje.

Pas promovimit që ua ka bërë vendeve turistike shqiptare, 25-vjeçarja ka treguar se vazhdon të jetë e lidhur me kulturën tonë.

Gjatë të mërkurës, ajo e ka shpërndarë një video në Instagram, ku shfaqet duke kërcyer valle tradicionale shqiptare.

“Më trego se je shqiptar, pa më treguar se je shqiptar”, ishte përshkrimi që i ka vënë videos, në të cilën është parë me gotë mbi kokë, teksa vallëzon me shami në dorë nën ritmet e një kënge popullore të Remzie Osmanit.

Lexo po ashtu Me shami e me gotë mbi kokë, Dua Lipa publikon video duke kërcyer me këngë popullore gjatë pushimeve në Shqipëri

Këngëtarja e mirënjohur e ka shkruar një koment në këtë postim: “Sa krenar jemi ne me modestinë tende me arritjet e tua Dua. Te dua”.

Njëherësh, Remzia e ka shpërndarë videon e yllit të muzikës pop edhe në profilin e saj në Instagram, duke shkruar: “Kënaqësi të shohësh se si një yll botëror si Dua, është kaq modeste dhe nuk e harron as vendin as gjuhën e besa as muzikën shqipe. Faleminderit Dua. Je yll”. /Telegrafi/