Site icon Telegrafi

Mediat në Shqipëri: Kosovarët magnet për skenat botërore

Rita Ora, Dua Lipa, Ardian Bujupi, Lindita Halimi – janë vetëm disa prej emrave të artistëve shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit. Dhe kur themi jashtë vendit, natyrisht përfytyrojmë tregje të mëdha muzikore, si ai amerikan, anglez, gjerman apo evropian.

Rita Ora e vulosi këtë status kur performoi live në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar 2015 këngën ‘Grateful’; Dua Lipa është zyrtarisht një yll i ardhshëm, së paku sipas BBC-së; Rona Nishliu me ‘Suus’in’ e saj, cilësohet si një prej këngëtareve më të shkëlqyera në Eurosong-un e viteve të fundit; Lindita Halimi ishte fituesja e publikut në audicionin e parë të American Idol. Përveç kësaj, këta këngëtarë kanë edhe një të përbashkët tjetër: janë shqiptarë të Kosovës.

Por nuk janë vetëm këngëtarët nga Kosova ata që arrijnë t’ia dalin në skenat ndërkombëtare; Arta Dobroshi shkeli në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës, duke marrë kritika shumë të mira për rolin e saj në filmin ‘Lorna’, 2008, dhe nuk ka qenë përvoja e saj e vetme si kandidate në festivale ndërkombëtare të filmit. Për të mos ndërmendur futbollistët me karrierë në klubet më të mira të Evropës (sepse nuk është vetëm Lorik Cana, ka edhe Xhaka, ka edhe Berhami, edhe Shaqiri, edhe… edhe…).

Shqiptarët e Kosovës e kanë përfaqësuar veten aq mirë në botë gjatë viteve të fundit, sa tani të gjithë shqiptarët përfaqësohen me ta. Edhe brenda kufijve të shqiptarisë, këngëtarët dhe reperët kosovarë korrin gjithmonë sukses me këngët e tyre, duke e kthyer Prishtinën në kryeqytetin e muzikës shqiptare, me shumë producentë që krijojnë e punojnë atje.

Por përse duket sikur shqiptarët e Kosovës janë të aftë t’ia dalin kudo që të shkojnë? Përse sa herë që i shikon duke performuar, të krijojnë përshtypjen se e kanë brenda atë yllin e lindur? Diçka duhet të jetë patjetër. Në të vërtetë, duket se ka shumëçka që i bën ata të jenë të suksesshëm.

Së pari, zëri – Sepse asgjë nuk është e mundur nëse nuk ke çfarë të japësh, të paktën jo në një vend ku duhet të këndosh live përpara publikut më të gjerë. Rita Ora është përballur vazhdimisht me këtë sfidë, së fundmi edhe në spektaklin e Jimmy Kimmel, ku performoi live duetin e saj me Chris Brown. Dua Lipa ka vërtetuar prej kohësh që është shumë më tepër sesa një modele. Zëri zyrtar i spoteve të X Factor, së fundmi ka kënduar ‘Be The One’ në BBC Sound of 2016, ku vërtetoi statusin e saj si një yll i 2016-ës. Rona Nishliu – është emri i një çmimi që japin fansat e Eurosongut çdo vit, për këngëtarin më të mirë të vitit në këtë festival, që prej performancës së saj vokale në Eurovisionin e 2012-ës. Edhe të tjerë shqiptarë, të shumtë, kanë tërhequr vëmenjde duke kënduar live, si konkurrentë në talent show të ndryshëm nëpër botë. Së fundmi Lindita Halimi shfaqi vokalin e saj në American Idol, duke u shprehur se ëndrra e saj ishte realizuar tashmë, thjesht nga fakti që kishte mbërritur deri aty. Por, siç edhe u shprehën anëtarët e jurisë, ‘njerëzit vdesin për zëra të tillë’. Dhe amerikanët, me ç’duket, lënë kokën pas personazheve të tilla. Talente të mëdha që vijnë nga vende të vogla, të varfëra.

Sepse, shqiptarët e Kosovës kanë një histori mbresëlënëse pas tyre. Në të gjitha kuptimet; në luftën e viteve ’90 me Serbinë, Kosova u mbështet ushtarakisht dhe, politikisht, nga Britania e Madhe dhe SH.B.A-të. Jo më kot na krijohet ndjesia e një lidhjeje të fortë mes kosovarëve dhe këtyre 2 vendeve – përpos faktit se këto shtete kanë pritur dhe presin shumë emigrant kosovarë – duket se ekziston një fill i largët, që krijon ngahera ura mes Kosovës dhe Perëndimit; të madhit, të ëndërruarit, Perëndimit që për shumë shqiptarë që jetojnë këtu është një realitet pararojë. Nëse Puerto Rico është shteti i 51-të i SH.B.A-ve, për një periudhë të gjatë është krijuar përshtypja se Kosova ishte vendi i 51-të. Në tregun muzikor amerikan shitet ajo që ka më shumë audiencë; artistët e muzikës amerikane pop dhe Country padyshim; artistët e muzikës afro-amerikane, që dalin nga underground-i i getove dhe dëgjohen nga publiku në të gjithë botën, si edhe artistët hispanikë, si Jennifer Lopez, Shakira, Enrique Iglesias apo Marc Antonio, që sigurojnë një treg gjigand të paktën në Amerikën Latine. Por është edhe historia e tyre që e tërheq shumë publikun amerikan; lindin në ‘vecindades’ dhe bëhen yje të muzikës.

Po kështu, historia e një vajze familja e së cilës emigron në Londër për shkak të luftës për të gjetur atje një luftë tjetër të përditshme, historia e vajzës që ka vuajtur shumë mungesa gjatë viteve të para në Angli, nëna e së cilës ka luftuar me kancerin në gji e për fat ia ka dalë të shërohet, e vajzës që tani është një këngëtare e njohur dhe jeton në një shtëpi miliona dollarëshe – historia e Rita Orës – është padyshim një histori frymëzuese. Të gjithë, por më tepër amerikanët, do të binin në dashuri me një Hirushe që ka ardhur nga hiçi e ia ka dalë t’i ketë të gjitha. Por dihet: Asgjë nuk mbin nga hiçi; dhe duket se përveç talentit në fusha të ndryshme, shqiptarët e Kosovës kanë edhe një dhunti tjetër: Këmbënguljen.

Shqiptarët e Kosovës janë këmbëngulës, dhe e dinë se çfarë duan. Kjo është një cilësi e emigrantëve, nxitur nga përvoja e tyre e një pamundësie të përditshme për të hequr dorë. Por nuk është meritë vetëm e kësaj; pasi u kthye në Kosovë, Dua Lipa dhe familja e saj vendosën të ktheheshin përsëri në Londër, që vajza e tyre të mund të ndiqte ëndrrën e saj të madhe. Linda Halimi humbi plot 70 kilogramë për t’u paraqitur në American Idol, në mbrëmjen e 6 janarit 2016. Rona Nishliu gjithashtu ka humbur shumë kile, por mbi të gjitha, shumë sfida; si ajo, ashtu edhe Halimi kanë dalë nga talent shoë ‘Ethet e së Premtes’, ku janë skualifikuar. Shembulli më i mirë që askurrë s’duhet hequr dorë. Vendosmëria të çon gjithmonë diku. E ndërsa shqiptarët e Shqipërisë e marrin jetën më lehtë, në Kosovë asgjë nuk përfytyrohet si e pamundur. Një popull që i ka mbijetuar luftës, i ka të tjerat shumë më të thjeshta për t’i arritur. Natyrisht që luftën e kemi përjetuar edhe ne. Por duket ndonjëherë sikur, në 45 vjet mbylljeje të plotë, kemi humbur shumë gjëra, përfshirë edhe aftësinë për t’u përshtatur me vështirësitë e përditshme të jetës. Për të mos folur për gjithçka ndodhte në botë; rryma e ndikime artistike që nuk na kthehen më, si një adoleshencë e vonuar.

Nga ana tjetër, shqiptarët e Kosovës kanë qenë më të hapur ndaj prurjeve botërore në muzikë, letërsi dhe art. Ndërsa ne dëgjonim fshehurazi muzikën e mirë, por për hir të së vërtetës, vendore, të italianëve, në Kosovë shkonin e vinin të gjitha erërat e muzikës dhe artit. Shembullin më të mirë për këtë së fundmi na e rikujtuan ‘Gjurmët’, të cilët qenë të parët që sollën në shqip Neë Wave-in, pra, Erën e Re të muzikës, në një kohë kur në Shqipëri i këndohej ekskluzivisht popullit dhe partisë. Me gjasa për shkak të kësaj, muzikantët dhe artistët kosovarë janë më mendjehapur kur vjen fjala tek eksperimentet. Edhe pas viteve ’90, shqiptarët e Shqipërisë kanë mbetur nën ndikimin e televizioneve dhe kulturës italiane. Ndërsa në Kosovë prej kohësh janë zhvilluar të gjitha ngjyrat e kulturës bashkëkohore; nga Turqia, tek Anglia, Gjermania, Suedia e Amerika. Produksionet muzikore kosovare shëmbëllejnë tendencat më të fundit të muzikës amerikane R’n’B, hip-hop apo pop progresiv. Dhe marrin çdo ditë shumë klikime nëpër video, dhe kërcehen nëpër klabet e të gjithë Shqipërisë.

Dhe diçka e fundit, por aspak nga rëndësia, artistët kosovarë kanë origjinalitet. Dhe mbi të gjitha, mbartin gjithnjë identitetin e tyre, duke e shprehur në çdo rast, dhe çdo mënyrë, se nga vijnë. Dhe përveçse e thonë shprehimisht se vijnë nga Kosova, edhe nëse vetë nuk kanë jetuar atje, ruajnë autenticitetin e vendit nga kanë origjinën, dhe e shpalosin atë si një stil unik në artin që zhvillojnë. Ata arrijnë të krijojnë identitetin e tyre, saqë edhe nëse frymëzohen prej artistëve të caktuar të huaj, e risjellin ndryshe, në stilin e tyre autentik. Fillimisht Adelina Ismajli, e cila u kthye në një ikonë të guximit që mund të ketë çdo artist shqiptar në stilin skenik, duke vijuar me më të vonët, si Dafina Zeqiri apo Era Istrefi, po krijojnë vazhdimisht trende me mënyrën si përformojnë, vishen, si e sjellin dhe si e konceptojnë muzikën. Të gjitha këto, për të mos i hyrë debatit mbi letërsinë kosovare, e cila Dit’ e Nat’, i ka të gjitha që duhen për t’ju lanë pa gjumë./Anabel/

Exit mobile version