Mediat argjentinase spekulojnë se Real Madridi dhe Juventusi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Paulo Dybalas për 180 milionë euro.
Sipas gazetarit të Ole, Mauricio Hidalgo, argjentinasi do të bëhet lojtar i Los Blancos para mbylljes së afatit kalimtar veror në La Liga (e premte, 31 gusht).
Në bazë të thashethemeve, Dybala do të përfitojë 16 milionë euro për sezon në Santiago Bernabeu.
Mirëpo, sipas të dhënave që i ka siguruar Calciomercato.com, nuk do të ndodhë shitja e sulmuesit të Juves në 48 orët e ardhshme.
Kjo për faktin se Zonja e Vjetër tashmë e sakrifikoi Gonzalo Higuainin dhe nuk ka nevojë të largojë lojtarë të tjerë.
Juventusi deri më tani ka arritur të shmangë interesimin e shumë klubeve, si Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Monaco, Barcelona dhe Real Madrid, duke qenë se 24-vjeçari konsiderohet pjesë e rëndësishme e të ardhmes së Bianconerëve.
Ndërsa me transferimin e Cristiano Ronaldos, Juve dëshiron ta kërkojë trofeun e Ligës së Kampionëve, prandaj Dybala është shumë i nevojshëm në këtë objektiv. /Telegrafi/