Telegrafi

Mbyllet pa fitues beteja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë mes Juves dhe Interit

(Foto: Getty)

Juventusi dhe Interi janë ndarë baras (1-1) në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Stadium.

Gjysma e parë e Derby d’Italia nuk prodhoi gola, megjithëse rastet nuk munguan. Angel Di Maria pati një prej rasteve të para, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Në minutat në vijim pati një situatë të dyshimtë për penallti për mysafirët, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari Davide Massa konfirmoi se nuk ishte njëmbëdhjetëmetërsh.

(Foto: Twitter/JuventusFC)

Henrikh Mkhitaryan pati një nga mundësitë e parë të gjysmës së dytë, derisa më vonë Arkadiusz Milik nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 83-të kur pas një harkimi në zonë, Juan Cuadrado erdhi nga plani i dytë i pamarkuar dhe goditja e tij e devijuar përfundoi në portë.

Në minutat shtesë, Bremer e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Romelu Lukaku ishte i saktë nga pika e bardhë (90’+5).

Rezultati i barabartë nënkupton se do të ketë një gjysmëfinale të dytë të zjarrtë në Giuseppe Meazza kur do të vendoset nëse Juventusi apo Interi do të vazhdojë në finalen e 24 majit në Romë. /Telegrafi/