Telegrafi

Kontrabanda dhe krimi në veri, policia bllokon rreth 20 rrugë ilegale në kufirin me Serbinë

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin policor në veri të vendit.

Deri tani, policia ka bllokuar rreth 20 rrugë ilegale që kanë qenë me Serbinë.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Kemi mbyllur rreth 20 rrugë ilegale me shtetin serb”, tha ai duke shtuar se bllokimin e kanë bërë me beton, gurë e gjëra tjera.

Policia ka nisur aksionin mëngjesin e sotëm, ndërsa ditë më parë ka sekuestruar edhe sasi të madhe të armatimit në veri, i cili ndërlidhet me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.

Pas sulmit ndaj Policisë, rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues. /Telegrafi/