Të premten ka përfunduar afati për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës.
Deri tani gjithsej 4 mijë e 293 vetura i kanë konvertuar targat ilegale serbe në RKS.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin Veton Elshani, zëvendës komandant i Policisë së Kosovës për veriun.
“Sot është dita e parë pas kalimit të afatit për konvertim të targave. Targat KM, PR, GL etj nga sot trajtohen si targa me afat të skaduar dhe automjeti po ashtu trajtohet si i tillë”.
“Sa i përket këtij fenomeni, rajoni i veriut trajtohet nga sot e tutje sikur të gjitha rajonet e tjera e që d.m.th Polici në rrugë e vendos me dhënë vërejtje, me shqiptu gjobë apo me konfisku veturën”, ka thënë Elshani, duke shtuar se deri tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë apo vërejtje.
Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor, por Qeveria e Kosovës e ka zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.
Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë. /Telegrafi/