Site icon Telegrafi

Mbi 300 miliardë dollarë asete të ngrira ruse, BE-ja shqyrton mundësinë e përdorimit të tyre për rindërtimin e Ukrainës

Presidenti i Këshillit Evropian u ka bërë thirrje kryeqyteteve të Bashkimit Evropian që të vazhdojnë bisedimet për përdorimin e aseteve të konfiskuara të Bankës Qendrore të Rusisë me vlerë 300 miliardë dollarë për rindërtimin e Ukrainës.

Charles Michel, i cili përfaqëson 27 udhëheqësit e BE-së, tha se do që të analizohet mundësia për të gjeneruar fitime, të cilat më pas mund të drejtohen drejt përpjekjeve për rindërtim.

“Është një çështje drejtësie. Duhet të bëhet në përputhje me parimet ligjore – kjo është shumë e qartë”, tha Michel për Financial Times.

BE-ja dhe aleatët e saj ngrinë qindra miliarda dollarë rezerva valutore që gjenden në llogaritë jashtë shtetit nga Banka Qendrore ruse në fillim të agresionit ushtarak në Ukrainë, i cili nisi në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

Kostoja e rindërtimit të Ukrainës është vlerësuar në pak më pak se 350 miliardë euro.

Në fund të vitit të kaluar, Komisioni Evropian nxori idenë e zhvendosjes së aseteve të ngrira të shtetit rus në një fond, ku ato mund të menaxhoheshin në mënyrë aktive për të gjeneruar fitime për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës.

Blloku evropian ngriu fondet ruse në përgjigje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska. /Telegrafi/

Exit mobile version