Telegrafi

Mauro Icardi rikthehet dhe vendos ‘Derbin e qytetit’ me dy gola – Rashica luan gjithë ndeshjen dhe ishte ‘arkitekt’ i golit të parë

Galatasaray ka shënuar fitore ndaj Besiktasit me rezultat 2-1, ku Mauro Icardi shënoi të dy golat për vendasit.

“Derbi i qytetit” kishte një interesim të madh pasi të dy skuadrat po luftojnë për kreun e renditjes.

“Luanët” shënuan të parët në minutën e 18-të të takimit, ku aksioni nisi nga këmbët e Milot Rashicës.

Anësori i Kosovës rrotullohet në krahë dhe më pas hedh me të majtën një harkim të rrezikshëm në zonë, ku Baris Alper Yilmaz pason me kokë për te Mauro Icardi, i cili lëshon një “predhë” në portën e Besiktasit për 1-0.

Por 10 minuta më vonë erdhi reagimi i mysafirëve, që barazuan ndeshjen me golin e Cenk Tosun.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë 1-1.

Por Galatasaray kishte plan që ta fitonte ndeshjen dhe ktheu epërsinë në minutën e 59-të, kur Sergio Oliveira asistoi te Icardi që shënoi për 2-1, që ishte goli i tij i katërt në këtë sezon me fanellën e ‘Luanëve’.

Me këtë rezultat u mbyll edhe takimi, që e dërgon Galatasarayn në pozitën e dytë me 24 pikë, dy më shumë se Besiktas që mban vendin e pestë. Lider është Fenerbahce që ka tubuar 26 pikë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Milot Rashica luajti në këtë takim për 90 minuta dhe ishte prej më të mirëve në fushë. /Telegrafi/