Site icon Telegrafi

Matoshi: Pavarësisht dështimit të projektit për mbeturinat, 12 milionët e BE-së do të mbesin në Kosovë (Video)

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se dështimi i projektit 12 milionësh për ambalazhimin e disa materieve të rrezikshme ka qenë i pa arsyeshëm pasi nuk ka pasur ndonjë rrezik për shkënditin e qytetarëve.

Matoshi, në emisionin ”Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se projekti i parashikuar për menaxhimin e mbeturinave për të cilën është humbur donacioni i BE-së në vlerë prej 12 mijë eurove është keqkuptuar qysh në fillim.

“Shumë akterë këtij projekti i referohen në mënyrë të gabueshme, si ndërtim i një deponie për materie të rrezikshme. Në realitet fjala është dhe ka qenë për ndërtimin e disa magazinave në të cilat fillimisht do të ambalazhoheshin dhe pastaj do të deponoheshin në një periudhë të caktuar materie të rrezikshme që vijnë, zëmë shembull, nga dekomisionimi i ‘Kosovës A’, por edhe materie të rrezikshme që kemi gjithandej nëpër Kosovë, e që fatkeqësisht nuk janë sa duhet mirë të ambalazhuara”.

Matoshi thotë se me të marrë detyrën e ministrit të Ambientit projektin për mbeturinat e ka gjetur të gatshëm.

“Pastaj jam përballur me shqetësimet e Komunës së Fushë Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar sa duhet. Fajtorë për dështimin projektit janë Komuna e Fushë Kosovës, Kryetari dhe asambleistët, pasi të njëjtët nuk kanë dashur të dëgjojnë se a paraqesin rrezik këto magazina”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se është shumë i rëndësishëm ambalazhimi i mbetjeve të rrezikshme që tashmë ekzistojnë në Kosovë, por jep një lajm të mirë sa i përket donacionit 12 milionësh të BE-së.

“Këto 12 milionët [eurot] mbesin në Kosovë. Pritet ditëve në vijim që të ri destinohen… Ne duhet të mësohemi karshi çështjeve që janë të rëndësishme”.

Lexo po ashtu Fushë Kosova përshëndet anulimin e projektit 12 milionësh të BE-së për deponinë e mbeturinave, fajëson Ministrinë e Mjedisit për jotransparencë

Matoshi thotë se Bashkimi Evropian është tërhequr nga projekti ende pa filluar faza e diskutimit publik të projektit dhe ndikimit të tij në ambient, pasi kishte një refuzim kategorik nga Komuna e Fushë Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se projekte të tilla janë implementuar edhe në qytete të Gjermanisë dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin e banorëve./Telegrafi/

Exit mobile version