Site icon Telegrafi

Mashtronte qytetarët duke u hequr si prokurori i SPAK-ut, arrestohet 48-vjeçari në Berat

Një 48-vjeçar është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Beratit, pasi mashtronte qytetarët duke u hequr si prokuror i SPAK dhe merrte para me premtimin se do t’u zgjidhte çështjet ligjore me pronat.

Në pranga ka përfunduar shtetasi Alban Muço, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria, Muço është paraqitur në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në qytetin e Beratit, duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ai ka ofruar “ndihmë” për zgjidhjen e çështjeve administrative dhe ligjore, duke kërkuar para për ndërhyrjet që premtonte se mund të realizonte.

Hetimet zbuluan se Alban Muço kishte precedentë të mëparshëm kriminalë

dhe kishte qenë i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.

Ai shfrytëzonte këtë titull të rremë për të mashtruar qytetarët dhe për të përfituar para. /Telegrafi/

Exit mobile version