Site icon Telegrafi

Masat e reja për targat ilegale, analistët i vlerësojnë si zgjidhje kreative e qeverisë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reja për targat ilegale dhe zgjatjen e afateve deri më 21 prill për konvertimin e plotë të targave në RKS, po vlerësohet si zgjidhje kreative nga njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se Qeveria veproi në mënyrë strategjike, duke mos këmbëngulur më zbatimin e vendimit më 1 nëntor, pas kërkesës ndërkombëtare për shtyrje të afatit për targa.

Megjithatë, ai thotë se edhe masat për qortim, gjobitje dhe më pastaj konfiskim në përmbajtja ka qëllimin për shtyrje të afatit.

“Qeveria e Kosovës duhet të tregohet strategjike dhe zgjuar, pasi kanë kërkuar gjithë partnerët tanë, ShBA-ja dhe BE-ja… Çfarëdo forme që e bëjmë do të jetë e njëjta gjë, vetëm varet nga aspekti tekstual se si ne e shkruajmë çështjen e vendimit. Edhe nëse nuk e shtyjmë vendimin, por e zbatojmë në një formë kreative që mos të penalizohen apo gjobiten qytetarët serbë në veri, i bie e njëjta gjë, vendimi nuk është shtyrë dhe nuk ka (konfiskim) dhe kjo mbetet shumë çështje e paqartë. Qeveria duhet të jetë kreative që mund të thuhet të bëhet edhe një kampanjë vetëdijësuese se çfarë masa do t’i merr qeveria në rast se nuk konvertohen targat. Mirëpo unë mendoj se duhet të ketë një afat kohor vetëdijësues dhe shanse për qytetarët serbë”, tha Arifi për Kosovapress.

Ndërkaq, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se kryeministri Kurti e dinte se ka marrë një vendim me rrezikshmëri të lartë politike, pasi ka potencial për eskalim të situatës.

Ai thekson se nuk ka rëndësi mënyra si arrihet deri te qëllimi, por me rëndësi është efektiviteti në zbatimin e kërkesave të qeverisë në raport me pakicën serbe.

“Kryeministri Kurti e ka marrë një vendim me rrezikshmëri të lartë politike, pasi ka potencial të madh për eskalim. Nga përvoja dhe konteksti e dina se çdo vendim i rëndësishëm dhe posaçërisht kur ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës në raport me pakicën serbe duhet të merret në mënyrë graduale, kujdes dhe shumë negociata, pasi mund të kthehet si bumerang dhe pastaj të shkaktojnë më shumë probleme se dobi… Ka hapësirë për gjetjen e një zgjidhje kreative për gjetjen e një mesi dhe pastaj e gjithë kjo të përfundonte me efektivitet. Në rastet e kaluara, por edhe tani nuk është me rëndësi mënyra si arrihet deri tek caku, por me rëndësi është efektiviteti në zbatimin e kërkesave të qeverisë në raport me pakicën serbe”, thotë Muhaxhiri.

Vendimi i ri ekzekutivit parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme. Të njëjtat përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit Albin Kurti nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti dje para kabinetit qeverisës.

Këtë vendim, kryeministri Kurti, tha se ia ka paraqitur edhe shteteve të QUINT-it.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar shtyrje të afatit për targat ilegale edhe për dhjetë muaj të tjerë./kp/Telegrafi/

Exit mobile version