DJ i famshëm botëror, Martin Garrix, ka në diskografinë e tij dy bashkëpunime shumë të suksesshme me dy artiste shqiptare.
Bëhet fjalë për “In The Name Of Love”, bashkëpunim i vitit 2016 me artisten Bebe Rexha dhe “Scared To Be Lonely”, në vitin 2017 me të famshmen Dua Lipa.
Martin Garrix, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur së fundmi mbi këto dy bashkëpunime, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme ndër vite.
“Ishte e mahnitshme të punoja me të dyja. Ato janë kaq të talentuara dhe absolutisht po e çajnë tregun botëror. Jam super krenar që kam këngë me të dyja”, ka thënë DJ me prejardhje holandeze për Telegrafin.
Ndërkohë, i ngacmuar me pyetjen se cilën do zgjidhte si më të mirën mes këtyre dy këngëve, Garrix iu shmang përzgjedhjes me mjaft diplomaci.
“Kjo është si të zgjedhësh mes dy fëmijëve, i dua të dy këto bashkëpunime”, është shprehur Martin për Telegrafin.
I njëjti gjatë intervistës, ka folur gjithashtu edhe për eksperiencën e tij të fundit në Kosovë, kur në vitin 2018 erdhi për të performuar për festivalin “Sunny Hill”.
“Sunny Hill ishte një festival kaq i mahnitshëm dhe Kosova është vërtet e bukur. Mezi pres të kthehem në turne dhe më në fund të jem në gjendje të festojmë së bashku përsëri”, ka thënë Garrix.
Martin përndryshe së fundmi ishte edhe kompozitori i këngës zyrtare të kampionatit Euro 2020, duke realizuar këngën me titull “We Are The People” në bashkëpunim me grupin e faamshëm U2. /Telegrafi/