Nga: Auron Tare
Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.
Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë.
E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.
Martin Camaj ishte një mësues i ri në fshatin Prekal të Malësisë në vitet 1946-47. I diplomuar në shkollën e fretërve jezuitë në Shkodër, ai tërhoqi vëmendjen e shërbimit inteligjent shqiptar në një periudhë mjaft të trazuar të pasluftës. Dihet se Malësia ishte një zonë që po i bënte rezistencë regjimit të ri komunist dhe si pasojë shërbimi informativ shqiptar ishte mjaft aktiv në krijimin e një rrjeti bashkëpunëtorësh.
Sipas dosjes së tij shqiptare, Camaj dyshohej për lidhje me një “bandë të arratisurish pro-jugosllavë”. Për këtë arsye arrestohet në mënyrë të fshehtë më 5 maj 1948 dhe sillet në Shkodër. Në 10 maj 1948 merret në pyetje në zyrën e Sigurimit të Shtetit nga kapiteni Fadil Kapisyzi.
Dosja e deklasifikuar e Camajt ka ndër dokumente të tjera edhe një deklaratë prej disa faqesh mbi përfshirjen e tij në ndihmesën për të arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithashtu kundër disa prej mësuesve të tij fretër jezuitë, në veçanti Pader Fausti, Pader Dajani, Pader Roza. Duhet thënë se Pader Xhovani Fausti dhe Pader Danjel Dajani ishin dënuar ndërkohë me pushkatim në gjyqin e famshëm të Shkodrës kundër klerit katolik.
Megjithëse Camaj tregoi mbi përfshirjen e tij në një rrjet të arratisurish që kishin lidhje me Jugosllavinë, ai doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës më 10 maj 1948, pasi pranoi të rekrutohej si informator, me pseudonimin “Bregu i Kuq”.
Firmosja si informator i Sigurimit për mësuesin e ri Martin Camaj, në kontekstin e kohës, nuk e fajëson kurrsesi atë, pasi rrethanat mund ta kenë detyruar të bashkëpunojë me një organizatë të frikshme si Sigurimi i Shtetit. Megjithatë, duhet pasur parasysh se Zbulimi Sekret Shqiptar, në atë kohë kishte ndërtuar një platformë sekrete për hedhjen me mision jashtë kufijve të Shqipërisë të informatorëve të saj, pasi u përgatiste një plan mbulimi operacional.
Kjo procedurë e njohur si “Ilegalët”, të cilët në kontekstin e kohës ishte përdorur gjerësisht nga NKVD (KGB) sovjetike në Evropën Perëndimore, ishte përshtatur edhe nga Sigurimi në operacione kundër Jugosllavisë dhe më gjerë.
Në Shtator 1948, Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë së bashku me një numër eksponentësh lokalë antikomunistë. Informacioni më i saktë mbi arratisjen e Camajt dhe grupit që ai iu bashkua, gjendet në përshkrimin e Padër Daniel Gjecajt botuar vite më pas në Itali. Në këto kujtime mësojmë edhe emrat e personave me të cilët u arratis Martin Camaj nga Malsia.
Megjithëse në atë kohë nuk kishte shumë informacion mbi këtë arratisje, në dosjen e zbulimit politik shqiptar në vitin 1959 ka një detaj interesant për daljen e Camajt drejt Jugosllavisë. Vendoset në Tuz (Mal i Zi) si mësues. Çuditërisht në datën 21 shtator 1950, emri i tij përmendet në një dokument të shërbimit amerikan të zbulimit që mbante në vëzhgim aktivitetin inteligjent jugosllav, UDB. Po kështu në një tjetër raport të CIA-s, kësaj radhe mjaft të gjatë, emri i Martin Camajt konfirmohet përsëri si student, por këtë radhë i Universitetit të Beogradit. Nuk ka asnjë të dhënë nga burimet arkivore në dispozicion, nëse Camaj ka treguar për autoritetet jugosllave rekrutimin e tij nga shërbimi shqiptar. Megjithatë, me të drejtë lind pyetja se përse nga rreth 25 studentë shqiptarë në Universitetet jugosllave (dokumenti i mëposhtëm) amerikanët kanë përmendur Martin Camajn?
Përmendja e emrit të Martin Camajt si student në Universitetin e Beogradit me të drejtë sjell pyetjen si mundi mësuesi refugjat shqiptar nga Prekali të fitojë një bursë studimi për në Universitetin e Beogradit? Aq më tepër, përse shërbimi sekret amerikan e ka vendosur atë në vëzhgim, duke theksuar emrin e tij në dy dokumente raporti nga terreni?
Në vitin 1951, Camaj njihet dhe martohet me një studente serbe, Nina Bogdanoviq, vajza e ish-nënkryetarit të Bashkisë së dikurshme të Beogradit. Duket se fati po i printe, pasi për një kohë shumë të shkurtër, nga një refugjat i arratisur ishte tashmë një student i Universitetit të Beogradit. Martesa (civile dhe jokishtare, duhet theksuar) me Ninën, duket se e ka futur atë në shoqërinë e lartë beogradase. Nuk ka asnjë të dhënë nëse takimi i dy të rinjve ishte e orkestruar nga UDB-ja. Megjithatë, po t’i referohemi dokumentit të mësipërm, duket e pamundur që kjo lidhje të mos ishte kryer të paktën me miratimin e UDB-së. Një dyshim mbi këtë fakt del edhe nga vëzhgimi i mëposhtëm.
Studiuesi Arben Ndreca ka botuar një seri letrash të çiftit të ri (Letra të panjohura dashurie, përktheu prej serbokroatishtes Arben Ndreca) të shkruara në vitin 1951, kohë kur çifti pushonte në një resort malor në Zlatibor. Duhet theksuar se Camaj ishte një student pa asnjë të ardhur, përveç bursës studentore, dhe pushimet jashtë Beogradit kanë pasur vështirësitë e tyre. Zlatibori ende sot konsiderohet si një pikë pushimi mjaft e preferuar për turizmin malor të skive dhe pushimet klimaterike, të cilat konsiderohen si turizëm elitar. Me te drejtë lind pyetja: me çfarë të ardhurash pushonte në këtë resort malor ky i ri refugjat? A mos vallë këto pushime ishin shpërblimi për të cilin flet dokumenti i mësipërm i CIA-s për studentët shqiptarë?
Gjatë viteve 1950-1956, Camaj qëndroi në Beograd, ku studioi në Fakultetin e Shkencave Gjuhësore. Biografët e tij e kanë cilësuar këtë periudhë si një periudhë kur studiuesi i ri ishte tërësisht i përkushtuar ndaj çështjes letrare jashtë çdo angazhimi tjetër. Por, dokumenti sjell një të dhënë tërësisht të panjohur, duke konfirmuar se Martin Camaj në fakt ka qenë i angazhuar edhe në një aktivitet të rëndësishëm politik: Komiteti i Prizrenit.
Ky pasazh nga dokumenti prej katër faqesh i CIA-s amerikane sjell dy të dhëna shumë të rëndësishme mbi aktivitetin e Martin Camajt në periudhën e qëndrimit në Beograd: anëtarësimin e tij në “Komitetin e Prizrenit” (në ekzekutiv) dhe faktin se tashmë ai ishte një punonjës i Radio Beogradit. Analiza mbi këto dy-tri të dhëna ngre disa pikëpyetje të cilave do të mundohemi t’iu përgjigjemi nga dokumentacioni amerikan në vijim.
Ky pasazh i dokumentit të mësipërm tregon qartë se çfarë ishte Radio “Beogradi” dhe për çfarë përdorej në atë periudhë. Ndërkohë lind pyetja se si Martin Camaj, një emigrant politik shqiptar, pa njohje dhe pa kontakte, papritur të punësohet në qendrën me të rëndësishme të propagandës jugosllave? Camaj për më shumë nuk ishte as gazetar. Deri më sot askush nuk i është përgjigjur kësaj enigme.
Komiteti i Prizrenit
Rreth aktivitetit të Komitetit të Prizrenit ka një sërë dokumentesh në arkivin e deklasifikuar amerikan. Do të ishte me shumë interes që këto dokumente të krahasoheshin edhe me dokumentet italiane, britanike dhe ruse, për të kuptuar në të gjitha dimensionet e saj rolin që kishte kjo organizatë politike shqiptare e kohës. Duke pasur parasysh se dokumentacioni jugosllav nuk është i hapur për studiuesit, jemi të detyruar ta shikojmë këtë Organizatë në këndvështrimin e shërbimeve inteligjente amerikane për të kuptuar rolin e vërtetë të saj.
Dokumenti amerikan bën të qartë se Komiteti i Prizrenit ishte një organizatë thellësisht politike, e cila përpos organizimit të një force të armatosur gati për t’u përdorur në një moment oportun, ishte pikë së pari një organizatë përmes së cilës UDB-ja kishte ndërtuar një rrjet informativ për të depërtuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporën shqiptare. Pra, e thënë me thjesht, një organizatë spiunazhi. Ndërkohë, me shumë interes është fakti se në këtë organizatë politike dhe spiunazhi dallohen disa emra të cilët ishin pjesë e grupit me të cilët u arratis Martin Camaj. Në veçanti lideri i grupit Nik Sokoli prej Betosheti i cili duket se ka një pozicion shumë të rëndësishëm në këtë organizatë, si dhe Pader Daniel Gjecaj (Mark Gjecaj) i njohur me nofkën Miku i Maleve.
Në diasporën shqiptare vepronin në atë kohë tri organizata kryesore antikomuniste, të cilat kishin mision rrëzimin e qeverisë Hoxha.
– Komiteti “Shqipëria e Lirë”, themeluar nga shërbimi inteligjent anglo-amerikan;
– Blloku Independent Kombëtar, i themeluar nga zbulimi inteligjent italian;
– Komiteti i Prizrenit, i themeluar nga UDB-ja.
Të tri këto organizata punonin në mënyrë të pavarur kundër qeverisë Hoxha, duke mbështetur kryesisht politikën e sponsorizuesve të tyre. Të tri organizatat kishin marrë rolin e një qeverie në emigracion, por përtej fasadës politike dhe propagandës antikomuniste, këto organizata luanin rolin kryesor në rekrutimin e agjenturës dhe dërgimin e misioneve zbuluese në Shqipëri.
Komiteti “Shqipëria e Lirë” me kampin e fshehtë në Munih dhe Maltë, të sponsorizuara nga CIA/MI6, nëpërmjet Operacionit të koduar BGFIEND/Valuable, dërgonte grupe paraushtarake nga ajri, toka dhe deti, kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Blloku Kombëtar Independent (BKI) ishte një front për zbulimin inteligjent italian (inteligjenca navale), që dërgonte njerëz kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe në Elbasan. UDB-ja nëpërmjet Komitetit të Prizrenit dërgonte grupe paraushtarake në Shqipërinë e Veriut dhe në fiset e Malësisë, të cilat tradicionalisht kishin pasur kontakte me jugosllavët në periudha të ndryshme historike.
Duhet thënë se për vetë lidhjet e ngushta që kishte pasur Jugosllavia me Shqipërinë e pasluftës, shërbimi inteligjent jugosllav kishte njohuri të sakta dhe lidhje shumë të rëndësishme në hierarkinë komuniste shqiptare.
Për të gjitha këto arsye, si dhe për faktin që Komiteti i Prizrenit ishte një organizatë parësore kundër regjimit të Hoxhës, sigurisht që ai duhej të ishte në vëmendjen kryesore të organeve të Sigurimit të Shtetit. Ka një sërë dokumentesh që provojnë se Sigurimi shqiptar përpiqej të depërtonte në këtë organizatë, për të qenë në dijeni të planeve të UDB-së, duke pasur parasysh kontekstin në të cilin zhvilloheshin ngjarjet politike në atë periudhë dhe aktivitetin e Organizatës “Komiteti i Prizrenit”.
Me të drejtë lind pyetja, përse Martin Camaj kishte vendosur të anëtarësohej në këtë organizatë politike pro-jugosllave? Mos ishte ky një mision infiltrimi për “Brezin e Kuq”? Apo Shërbimi Inteligjent Jugosllav interesohej për studiuesin Camaj si një zbulues me të ardhme? Zhvillimi i ngjarjeve do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve intriguese.
Le të shohim një tjetër fragment nga një Raport i CIA-s mbi Komitetin e Prizrenit. Një fakt tjetër mjaft domethënës mbi aktivitetin e “Komitetit të Prizrenit” si qendër e spiunazhit jugosllav, është prania e gjeneralit Dushan Mugosha si kryetar në hije i kësaj organizate. Dushan Mugosha, malazez që fliste rrjedhshëm shqipen, për kohën konsiderohej si një prej ekspertëve më të mirë jugosllavë për çështjet shqiptare. Gjenerali Mugosha citohet në një sërë dokumentesh të CIA-s si personi përgjegjës jo vetëm për drejtimin e Komitetit, por edhe për rrjetin e spiunazhit kundër Shqipërisë.
Të gjitha këto të dhëna e vendosin figurën e Martin Camajt në një këndvështrim tjetër, duke hedhur dritë përtej rolit të tij si letrar dhe poet, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh për aktivitetin në hije gjatë periudhës së qëndrimit në Beograd.
Siç theksuam me sipër, Camaj qëndroi për gati gjashtë vjet në kryeqytetin jugosllav, ku përveç studimeve në Universitet, ka punuar në Radio Beograd, ka qenë pedagog në Universitetin e Beogradit, si dhe është aktivizuar në organizatën politiko/inteligjente “Komiteti i Prizrenit”. Por, papritmas, Martin Camaj vendos të largohet nga Beogradi. Biografët e tij deri më sot nuk kanë dhënë asnjë sqarim, se si Camaj mundi të largohej nga Jugosllavia. Largimi i tij drejt Italisë në fakt ka disa dritëhije që sjellin një sërë pikëpyetjesh. Si mundi Martin Camaj të merrte lehtësisht miratimin e autoriteteve jugosllave për t’u larguar nga Beogradi? A ka aplikuar Camaj si shumë refugjatë të tjerë pranë organizatave të refugjatëve për emigrim? Shumë shqiptarë emigrantë politikë në Jugosllavi aplikonin për emigracion në Amerikë, Australi apo vende të tjera të Evropës Perëndimore. Ndërkohë, Camaj papritur gjendet në Romë.
Të gjitha këto pyetje mund të marrin edhe një përgjigje normale, duke theksuar se largimi drejt Romës mund të ketë qenë thjesht një dëshirë e vetë Camajt. Por, nëse japim përsëri kontekstin e kohës mund të themi se koha e largimit të Camajt nga Beogradi përkon me momentin kur aktiviteti politik jugosllav antishqiptar pëson ndryshim të kursit. Është koha kur Nikita Hrushovi kishte kërkuar që udhëheqja shqiptare të mos ndërmerrte propagandë agresive ndaj Jugosllavisë si pjesë e një pakti pajtues që sovjetikët kërkonin të impononin mbi Enver Hoxhën.
Një afrim i mundshëm Beograd-Tiranë ishte një prej kërkesave sovjetike dhe Beogradi i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së Hrushovit pas vizitës së këtij të fundit për të takuar Titon. Ky ndryshim kursi i politikës jugosllave, e konfirmuar nga disa dokumente të CIA-s, të cilat raportonin se papritur Radio Beogradi kishte ulur tonin e propagandës antishqiptare, Komitetit të Prizrenit i kishin ardhur orientime të reja, se për momentin nuk kishte asnjë plan për mësymje drejt Shqipërisë. Një sërë shqiptarësh të emigracionit politik kishin filluar të shikonin mundësinë e largimit drejt Turqisë apo Amerikës.
Ndërkohë, Martin Camaj nuk dukej se prekej nga këto zhvillime të reja. Puna në Universitetin e Beogradit dhe në Radio Beograd i siguronte të ardhura të mira. Martesa me një vajzë të një familje të njohur beogradase e ndihmonte gjithsesi për të pasur një status komfort. E, megjithatë Camaj vendos të rifillojë edhe një herë jetën prej refugjati në një kamp italian. Lind pyetja përse? A mos vallë “Brezi i Kuq” dërgohej me mision të ri? Apo shërbimet jugosllave kërkonin të depërtonin diasporën politike shqiptare në Itali? UDB-ja kishte tentuar disa herë që me anë të shqiptarëve të rekrutuar të depërtonte atje apo të siguronte informacion mbi planet e BKI-së. Dërgimi i një poeti që sapo kishte filluar të njihej nga qarqet intelektuale shqiptare, mund të ishte një operacion i mundshëm.
Të gjitha këto pikëpyetje duhen ngritur në kontekstin e kohës. UDB-ja në atë periudhë kishte dërguar në Itali një prej ekspertëve të saj më të mirë për Shqipërinë, kolonelin Çedo Mijoviq. Koloneli kishte pasur një sërë takimesh me eksponentë të Bllokut Kombëtar Independent për të folur për çështjet shqiptare. Mijoviq u kishte përcjellë emigrantëve politikë të kësaj organizate qëndrimin e ri politik të Titos, i cili respektonte kufijtë e Shqipërisë, uljen e tensionit me Tiranën, si dhe rikonfirmimin për autoritetet greke se Jugosllavia nuk kishte asnjë pretendim territorial ndaj Shqipërisë.
Me një interes shumë të madh lexojmë në dokumentin e mëposhtëm deklaratën e Kolonelit i cili thekson propozimin që Tito kishte marrë nga Randolph Churchillit, djali i kryeministrit Britanik, i njohur i vjetër i Titos. Ky propozim ishte për një ndarje të Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Greqisë, i cili kishte hasur në kundërshtimin e Titos.
A ishte ky takim një matje pulsi e shërbimeve italiane, që monitoronin zhvillimet politike në Shqipëri? A kërkonin jugosllavët një bashkëpunim me diasporën shqiptare në Itali për një Front më të gjerë anti-Hoxha? A ishte propozimi i Churchillit i vërtetë apo blof jugosllav? Në mungesë të dokumentacionit të palës jugosllave, vetëm mund të spekulojmë. Megjithatë, mund të themi me siguri se UDB-ja ka pasur në fokusin e saj depërtimin e komiteteve paralele, si Bllokut të mbështetur nga italianët dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” nga anglo-amerikanët. Në një sërë dokumentesh të CIA-s kjo përpjekje është mjaft e qartë.
Megjithatë, për largimin e Camajt nga puna e rehatshme në Radio Beograd drejt kampeve të refugjatëve në Itali, kemi një dëshmi autentike nga vetë ai: një letër e dërguar nga Martin Camaj dy miqve të tij në Romë, ku u kërkon ndihmë për t’u larguar nga Beogradi. Megjithëse letra e ruajtur në arkivin e CIA-s është dërguar nga Camaj, analiza jonë është se kjo letër duhet marrë me shumë rezerva, pasi ka mundësi që arsyet e vërteta të mos jenë treguar në këtë letër.
“Do të doja të kaloja (rrija) ca kohë në Austri, pasi kam filluar të mësoj gjermanisht dhe do të vazhdoj ta bëj, pasi mund të më japin një vizë më kollaj. Natyrisht e dua Ninën (koment: bashkëshortja e Camajt) me mua dhe do të doja ta formalizoja këtë gjë me Petlin, deri sa ajo është dakord (koment: Petl është At Petliq, prifti i kishës katolike në Beograd. Camaj akoma nuk është martuar në kishën katolike).
Do ta bëj këtë përpara se të largohem. Ndoshta ajo (gruaja e Camajt) do të gjente punë me kollaj se unë, pasi është eksperte e sllavistikës me profesion. Unë do ta lë vendin pa dëshirë, por nëse nuk largohem do të përfundoj keq.
Unë jam vetëm viktimë e një lëvizjeje që po zhvillohet kohët e fundit. Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, Kosovë, është likuiduar. Ndoshta jam i gabuar dhe kështu shpresoj, por kjo është përshtypja ime. Të lutem shumë mbaje për vete këtë vendim timin. Do përpiqem të jem shumë i mirë me këta njerëz, megjithëse kam eksperiencë të keqe me ta.
Një person tjetër, i cili ka qenë në Shqipëri (koment: sipas (emri i fshirë) nënkuptohet Dushan Mugosha) më ka quajtur bandit, jezuit etj. Nëse më ndodh diçka mua, që ka shumë mundësi, le të dihet se unë nuk jam i pandershëm apo politik (fjalë që nuk kuptohet). Unë jam Martini, i njohur prej teje si (fjalë e pakuptueshme) revolucionar, megjithëse naiv. Nëse ti nuk do të interesohesh për mua, unë do të përfundoj keq.
Nuk dua ta shqetësoj prof. Malokin, përveçse për garancinë. Nuk kam frikë nga vuajtjet, por deri sa të jetoj dua të jetoj në mënyrë të ndershme. E di që situata jonë është e mallkuar dhe askush nuk mund të më ndihmojë. Megjithatë nëse bën diçka për mua, të jesh i bindur se kurrë nuk do të harrohet”
Martini
Letra e mësipërme, e ruajtur në Arkivin e CIA-s është mjaft interesante dhe komplekse. Drejtuar një personi në Romë, identitetin e të cilit ende sot CIA e ruan, duke e fshirë nga dokumenti i deklasifikuar, kjo letër ngre disa pikëpyetje të rëndësishme.
Përtej një panorame të një poeti të trishtuar, që ka humbur shpresat, a është kjo letër një përpjekje e Camajt për t’u larguar nga Beogradi, si pasojë e humbjes se besimit ndaj sponsorizuesve të vet? Për cilën veprimtari irredentiste antijugosllave flet Camaj? Përse shpreh një zhgënjim të thellë nga Instituti i Albanologjisë në Kosovë? Në botimet e tij të asaj kohe, dy libra poetikë, respektivisht ”Nji fyell ndër male” (1953, Prishtinë) dhe “Kanga e vërrinit” (1954, Prishtinë) nuk ka gjurmë të irredentizmit shqiptar.
Pasi mori diplomën nga Universiteti i Beogradit, Martin Camaj aplikon për studime pasuniversitare në Universitetin e Sarajevës. Këtu ai kërkon të studiojë me profesorin kroat Bariq. Tema e përzgjedhur, “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kjo kërkesë u miratua nga Këshilli shkencor i fakultetit më 16 shkurt 1956 (B. Demiraj, Jeta e akademikut M. Camaj).
Lind pyetja, nëse do të besojmë letrën e Camajt, se ai po persekutohej nga regjimi i Beogradit, si ka mundësi që i është dhënë e drejta për studim në Universitetin e Sarajevës? Një tjetër pyetje e cila mbetet pa përgjigje.
Po kështu, nuk ka asnjë të dhënë se gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Martin Camaj të ishte përfshirë në angazhime nacionaliste. Përndryshe, si mundej që një shqiptar nacionalist, irredentist, revolucionar (epitete të gjendura në letër) të punësohej në Universitetin e Beogradit, të punonte në Radio Beograd si dhe të ishte anëtar i një organizate politike/agjenturore të kontrolluar nga UDB-ja? Këto dy fakte të fundit nuk përmenden në letrën e tij.
Aludimi i Camajt se ishte gjeneral Dushan Mugosha, personi i cili kishte ndaluar aktivitetin e tij letrar, është vështirë për t’u pranuar, kur qartësisht kuptohet fuqia e një gjenerali të UDB-së, ndaj kujtdo që dyshohej si antijugosllav. Aq më shumë që Camaj ishte anëtar i Komitetit të Prizrenit dhe si i tillë sponsorizohej dhe kontrollohej nga gjenerali Mugosha. Me shumë gjasë Mugosha ka parë në figurën intelektuale të Camajt, një mundësi të artë për të depërtuar qarqet e diasporës shqiptare në Perëndim dhe si rrjedhim portretizimi i tij si një antijugosllav, pro-irrendentist mund të ketë qenë një tymnajë për t’i dhënë atij një alibi në qarqet shqiptare të diasporës.
Por, pyetja më interesante, që del nga kjo letër është si dhe përse shërbimi sekret amerikan ndihmon që kjo letër të dalë nga Beogradi? Çfarë e lidhte shërbimin sekret amerikan me një poet emigrant shqiptar në Beograd? Apo pyetja mund të bëhet në kahun e kundërt: çfarë kërkonte një emigrant politik shqiptar me shërbimin sekret amerikan? Aq më tepër në Beogradin e kohës, ku çdo i huaj survejohej rreptësisht dhe kontaktet ishin të vështira?
Në arkivin e CIA-s ka disa dokumente specifike mbi kontrollin e UDB-së ndaj Postës Jugosllave dhe në veçanti të letrave që dilnin nga Jugosllavia. A ka qenë kjo një përpjekje e Camajt për t’u shkëputur nga jugosllavët apo inskenimi i kërkimit të ndihmës me anë të letrës ka qenë pjesë e një plani të shërbimit sekret të UDB-së për ta vendosur atë në Itali pranë mërgatës politike shqiptare?
Sido që të jetë e vërteta, deri sa të kemi dokumente kundërshtuese nuk mund të arrijmë në një përfundim shterues. E vërteta është se Martin Camaj arriti të shkonte në Itali, në pranverën e vitit 1956, vetëm pak muaj nga letra e sponsorizuar nga amerikanët. Me vete kishte edhe Ninën bashkëshorten e tij serbe, për të cilën duhet thënë se sipas letrës së tij dërguar nga Beogradi ende nuk e kishte zyrtarizuar këtë martesë në Kishën Katolike.
Në Itali
Një prej dokumenteve më interesante të arkivit të CIA- s, bën fjalë për detaje operacionale të disa shërbimeve të inteligjencës amerikane që vepronin në Itali, si CIA, OSO dhe Shërbimi i Kundërzbulimit CI. Ky i fundit, drejtuar nga figura legjendare amerikane, James Jesus Angelton, i cili kishte ndërtuar një rrjet të fuqishëm në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane. Angelton, që kishte drejtuar X-2-shin gjatë Luftës së Dytë Botërore në Itali, kishte njohje edhe me një numër personazhesh shqiptare, nga të cilët merrte informacione paralele.
Nga një sërë dokumentesh del qartë se amerikanët, të cilët po mbanin peshën kryesore në operacionet antikomuniste, kishin arritur të depërtonin në mërgatën shqiptare në Itali, duke monitoruar të gjithë aktivitetin e saj.
Blloku Indipendent, një organizatë e ngritur dhe e mbajtur më këmbë nga shërbimi sekret italian, kishte një numër emrash të njohur, të cilët kishin qenë bashkëpunëtorë ose mbështetës të Italisë fashiste. Dyshimi se mërgata ishte depërtuar nga shërbimi sekret shqiptar e bënte më të rëndësishme vendosjen e agjentëve amerikanë edhe në Bllokun Indipendent, për të kontrolluar çdo hap të sajin.
Në të njëjtën valë operacionale ishin jugosllavët, të cilët të angazhuar në operacionet e tyre anti-Hoxha kërkonin edhe ata të depërtonin jo vetëm në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, por edhe në Bllokun Independent, që mbronte politikën italiane kundrejt Shqipërisë. Në këtë atmosferë të luftës midis shërbimeve sekrete, mbërrin në Romë nga Beogradi Martin Camaj, i cili duket të ketë qenë nën vëzhgimin e Operacionit OBDURATE.
Nga letra e Camajt sjellë në këtë shkrim, nuk kuptohet saktë nëse sponsorizuesit e tij për mbërritjen në Romë, janë të njohurit e tij nga koha e seminarit jezuit të Shkodrës.
Megjithatë, duket se një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare dhe mbështetës i tij në Romë ishte Ernest Koliqi.
Ky supozim del edhe nga dokumenti, i cili edhe pse emrin e agjentit të rekrutuar e ka të fshirë, nuk është vështirë të kuptohet se kush është. Studiuesi në fjalë ishte një prej agjentëve kryesorë të CIA-s, i cili kishte si detyrë monitorimin e diasporës shqiptare në Jugosllavi.
Në këtë kontekst mund të supozojmë me siguri se personi të cilit i drejtohej letra e Camajt nga Beogradi dhe sponsorizuesi kryesor i ardhjes së tij në Romë duhet të ketë qenë Koliqi.
Por, ardhja e Camaj në mesin e komunitetit shqiptar të Romës duket se nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Sipas një raporti të Zbulimit Politik Shqiptar, Camaj është dyshuar si njeri i dërguar nga komunistët, por ka qenë këmbëngulja e Koliqit që e ka ndihmuar për të kapërcyer këtë dyshim. Dyshim ishte i mbështetur nga një figurë e njohur e veriut si Gjon Marka Gjoni.
Informacioni i dokumentit të Zbulimit Inteligjent Shqiptar sjell një të dhënë shumë interesante e cila kërkon vëmendje në analizën tonë. Përse komuniteti katolik në Romë ka dyshime mbi poetin e ri Camaj? Mos vallë lehtësia e ardhjes së tij nga Jugosllavia? Bashkëshortja serbe e cila gjithashtu kishte marrë miratimin e autoriteteve pa asnjë pengesë? Shkollimi tij në Universitetin e Beogradit apo roli në Radio Beograd e bënte atë një figurë të papranueshme për Kapidanin e njohur të Mirditës?
Ndoshta të gjitha këto arsye bashkë, por ajo që është mjaft me interes mbetet mbështetja e Ernest Koliqit dhe e Padër Daniel Gjecajt (Mark) i njohur si “ Miku i Maleve”, në dokumentin amerikan për Komitetin e Prizrenit. Në këtë kontekst, në analizën tonë nuk mund të mos përmendim edhe një fakt shumë interesant i cili ka të bëjë me rolin që inteligjenca jugosllave luante në gjirin e mërgatës shqiptare. Në periudhën e operacioneve të Shërbimit amerikan kundër Shqipërisë, në dokumentacionin e kundërzbulimit amerikan OSO, flitet për një mundësi bashkëpunimi me një organizatë të vogël, por shumë sekrete e quajtur “Lidhja e Maleve”. Kjo organizatë e përbërë kryesisht nga priftërinj të arratisur dhe disa pronarë të mëdhej tokash nga malësia e veriut ishte jo vetëm një organizatë antikomuniste, por edhe thellësisht antijugosllave. Për këtë arsye amerikanët nëpërmjet OSO-s ( të drejtuar nga J.J Angelton) dhe OPC (drejtuar nga Frank Wisner, një nga arkitektët e operacioneve anti-Castro) propozojnë një bashkëpunim me “Lidhjen e Maleve”.
Këto operacione do të siguronin një pavarësi operacionale në terren pa mbështetjen (dhe pa kontrollin) jugosllav. Duke parë rëndësinë e madhe që kjo organizatë mund të kishte në Malësi, të tërheq vëmendjen fakti se inteligjenca shqiptare vëzhgonte disa nga drejtuesit e “Lidhjes se Maleve”. Në Dosjen e kundërzbulimit shqiptar gjendet edhe një foto e liderit të kësaj organizate, Pater Zef Oroshi, me Nina Bogdanoviq Camajn. Pader Zef Oroshi, një famullitar që shërbente në fshatin Ungrenj, sipas dokumentacionit të Sigurimit të Shtetit, në mars të vitit 1951 në zonën katolike të Mirditës, ishte përpjekur për të ngritur këtë zonë kundër pushtetit komunist.
Nuk është shumë e qartë në se kjo tentative kishte qënë një përpjekje reale apo një sajesë e Sigurimit të Shtetit, por duket se Pader Zefi ishte larguar për në Jugosllavi. Prej këtej, me ndihmën e Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, kishte emigruar në Itali. Me sa duket, aktiviteti i tij politik në Itali vëzhgohej nga shërbimi sekret shqiptar, por me shumë gjasë, organizata që ai drejtonte ishte objekt penetrimi i UDB-së jugosllave.
Në këtë kontekst mund të ngremë pyetjen se përse Koliqi, Camaj dhe Pader Daniel (Mark) Gjecaj (ky i fundit anëtar i grupit konsultativ të Komitetit të Prizrenit) kishin marrëdhënie me Pader Zef Oroshin, Liderin e “Lidhjes së Maleve”?
Koliqi ishte një personalitet kulturor i njohur i kohës. Ministër Arsimi në kohën e pushtimit fashist, ai kishte ndërmarrë një akt të rëndësishëm në dobi të Kosovës: hapjen e shkollave shqipe në territoret kosovare, vepër kjo për t’u lavdëruar. Besnik i idesë së një bashkëpunimi me Italinë, ai mbahej si një prej personaliteteve me filoitaliane të kohës. Gjatë periudhës dyvjeçare kur ai drejtoi Ministrinë e Arsimit, kultura shqiptare dhe shkrimtarët shqiptarë njohën një mbështetje të madhe, por nuk do t’i bënim një shërbim historisë nëse nuk do të theksonim edhe një fakt, i cili është lënë në heshtje nga të gjithë biografët e tij:
Dëmtimi i bibliotekës së dhuruar nga Lady Carnarvon për rininë shqiptare, në kujtim të djalit të saj, Herbert. Vepër që u krye në Tiranë, gjatë periudhës kur Koliqi ishte Ministër i Arsimit dhe Italia i kishte shpallur luftë Anglisë. “Librat e kësaj biblioteke, dhuruar nga Lady Carnarvon, u dogjën apo u shpërndanë majtas apo djathtas me qëllimin e vetëm që ta zhduknin atë” (M. Kuteli , Bashkimi i Kombit 1944)* (A. Plasari 2014).
Me kapitullimin e Italisë në 1943, Koliqi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Vatikan, si ambasador. Pas Luftës pati një aktivitet të rëndësishëm letrar, veçanërisht në Universitetin e Romës. Por, aktiviteti më i rëndësishëm i Koliqit në këtë periudhë, ishte fakti se ai qe ideologu dhe drejtuesi i Bllokut Independent Kombëtar, organizatës politike pro-italiane, për të cilën interesoheshin shumë si CIA amerikane, si UDB-ja jugosllave. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i Martin Camajt me Koliqin nuk do të ketë qenë krejt i rastësishëm. Bashkëpunimi i tyre, i nxitur edhe nga interesimi për letërsinë, duhet të kenë pasur në sfond edhe një bashkëpunim në fushën e inteligjencës. Më shumë interes është pyetja nëse vendosja e Camajt në Romë ishte një mision për të depërtuar BKI-në në dobi të jugosllavëve? Apo “Brezi i Kuq” kishte mision diasporën shqiptare në Itali?
Më poshtë mund të lexojmë disa të dhëna, të marra në rrugë operacionale
nga shërbimi i kundërzbulimit amerikan, i drejtuar nga Angelton, që vepronte në Itali.
Dokumenti i CIA-s është shumë interesant, i mbushur plot me detaje, ku ka një sërë emrash të diasporës shqiptare në Itali, të cilët survejoheshin nga kundërzbulimi amerikan si agjentë të mundshëm të Sigurimit Shqiptar (përfshirë edhe Ibrahim Kodrën). Amerikanët ishin shumë të shqetësuar se Komiteti Shqipëria e Lirë ishte depërtuar nga kundërzbulimi shqiptar dhe merrte informata mbi planet e Kompanisë 4000, që po trajnohej nga amerikanët në Munih. Por, në morinë e detajeve që përshkruhen në këtë dokument, tërheq vëmendjen shqetësimi i amerikanëve që burimi i tyre në Bllokun Independent ishte një burim jo shumë i besueshëm, i cili fabrikonte informata për blerësin më të parë. Emri i fshirë i këtij burimi e bën edhe më intrigues faktin që amerikanët dyshonin për një prej agjentëve të tyre, që e kishin në Bllokun Kombëtar Independent.
Por kush ishte ky personazh? Kush ishte personi që punonte për italianët, u shiste informata të dyshimta amerikanëve, kishte kontakte me shërbimin sekret gjerman që në vitin 1943? Një sërë dokumentesh të deklasifikuara nuk e tregojnë emrin e këtij personazhi, por dokumenti i mëposhtëm i kundërzbulimit, i gjendur në Dosjen e Operacioneve te OSO-s (shërbimi i kundërzbulimit amerikan) kundër Shqipërisë, hedh dritë përfundimisht mbi identitetin e personazhit enigmatik.
Hass mori urdhër nga Schultz që të fillojë të vendosë bazat për një depërtim të thellë gjerman në këtë sektor. Hass ka marrë urdhër që të depërtojë informatorët shqiptarë të shërbimit amerikan. Ishte në këtë frymë që u organizua takimi Koliqi-Schultz. Koliqi, i cili përpara mbërritjes së Schultz-it ishte konsultuar, me kërkesën e Hass-it, me liderët kryesore të grupit politik të Koliqit (Verlaci, Markagjoni etj.) i tha Schult-it se ai personalisht, por edhe si përfaqësues i grupit të tij, ishte i gatshëm të pranonte një bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e ri të Inteligjencës Gjermane me kushtet e mëposhtme:
- a) Trajtimi ekonomik duhet të jetë, siç është aktualisht trajtimi i dhënë nga Shërbimi Sekret Amerikan (250 usd në muaj) dhe
- b) Qeveria Gjermane të japë një formë njohjeje politike ndaj grupit, të cilin ai përfaqëson, njohje që deri më tani i është mohuar nga Shërbimi Amerikan.
Koliqi theksoi gjithashtu se për çdo bashkëpunëtor të tij (kërkonte) të kompensohej me një pagë mujore prej 100.000 lira. Po kështu theksoi se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Shërbimin Gjerman edhe në sektorë të tjerë si ai bullgar, kroat dhe rumun.
Për sa i përket marrëdhënieve midis Qeverisë Italiane dhe asaj të Tiranës, me kërkesën eksplicite të Schultz-it, Koliqi deklaroi se ai ishte në dijeni nëpërmjet dokumenteve se këto marrëdhënie ishin përmirësuar kohët e fundit, si një reflektim i tensioneve Itali-Jugosllavi. Schultz-i iu dha mbështetjen e interesimit të tij për situatën shqiptare në përgjithësi dhe refugjatëve shqiptarë në Itali. Privatisht Schultz-i i dha mbështetjen e tij Hass-it që të gjitha burimet financiare do të ishin në dispozicionin e tij, për të zhvilluar aktivitete në sektorin e Shqipërisë.
Dokumenti i kundërzbulimit amerikan ka një mori faqesh të mbushura me detaje shumë interesante, ku emri i Koliqit del herë pas here në operacione spiunazhi ndërkombëtar. Por, pyetja e parë që çdo lexues do të ketë kur lexon këto radhë është, kush ishte Karl Hass, miku i Ernest Koliqit që nga viti i largët 1943?
Dokumentacioni i deklasifikuar amerikan tregon se Karl Hass ishte Sturmbannführer Karl Hass, SS, numri i regjistrit në Partinë Naziste, 117 557. Oficeri i lartë i zbulimit politik SD të Partisë Naziste Gjermane. Karl Hass, i cili ishte përfshirë në Organizatën e Shërbimit Sekret të Partisë naziste SD, që me 1934, ishte graduar Shefi i SD në Romë më 1943. Falë bashkëpunimit me Gestapon, kishte ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh sekretë, që raportonin për llogari të inteligjencës naziste. Pas kapitullimit gjerman kishte jetuar disa kohë i fshehur në malet e Tirolit, së bashku me nazistin famëkeq Erich Priebke, i nxjerrë në gjyq në vitet 1990. Karl Hass është akuzuar nga autoritete izraelite për dërgimin e rreth njëmijë hebrenjve italianë në Auschvic si dhe për masakrën e 335 civilëve italianë në shpellat ardeatine! Në vitin 1946 iu dorëzua autoriteteve amerikane dhe pranoi të punonte për shërbimin e kundërzbulimit amerikan, CIC. Në të njëjtën kohë ishte i përfshirë në rrjetin e organizatës për oficerët SS për evakuimin e tyre drejt Amerikës Latine.
Hass u mor në shërbim nga organizata “Gehlen”, shërbim sekret gjerman, i financuar nga amerikanët, që kishte objektiv Bashkimin Sovjetik dhe më vonë ishte baza e Shërbimit Sekret Gjermanoperëndimor BND. Karl Hass, sipas dokumenteve të shërbimit italian, ishte personi që mbulonte Jugosllavinë dhe Shqipërinë, për llogari të shërbimit gjerman. Me sa duket nga dokumenti ynë, Hass vazhdonte të raportonte për llogari të kundërzbulimit amerikan, një shërbim ky gati i pavarur, që drejtohej nga Angelton dhe konsiderohej një shërbim shumë efikas me burime të shumta.
Me të drejtë, në analizën tonë lind pyetja se çfarë e lidhte shkrimtarin Ernest Koliqi me një oficer të shërbimit politik nazist, aq më shumë që prej 1943-shit? A ishte vallë Hass një admirues i shkrimeve të Koliqit? Apo mos vallë Koliqi kishte qenë pjesë e rrjetit të ndërtuar nga Karl Hass në Romë, me ndihmën e Gestapos?
Një detaj shumë interesant që hedh dritë sado pak në këtë pikëpyetje vjen nga dëshmia e shkrimtarit Petro Marko. I arrestuar në Romë nga Gestapoja gjermane, Marko lihet i lirë ‘pas një telefonate të Ernest Koliqit”. Petro Markoja shkruan në kujtimet e tij se “Ernest Koliqi e kishte ndihmuar në Romë, kur gjendej i arrestuar në burgun e Regina Coeli-it dhe priste të pushkatohej tek Fosse Ardeatine”. Fosse Ardeatine në fakt ishte vendi ku Gestapoja pushkatoi 355 civilë italianë, masakra më e madhe gjermane mbi popullsinë civile në Italinë e Luftës së Dytë. Kjo masakër (së cilës i është kushtuar një Muze i rëndësishëm nga qeveria italiane) e tronditi rëndë popullatën e Romës duke përfshirë edhe personalitetet më të rëndësishme të kohës, të cilët ndërhynë pranë autoriteteve gjermane për të ndaluar vrasjet e civilëve. Vetë Papa ndërhyri pranë mareshalit gjerman Albert Kesselring, komandant i trupave gjermane në Itali, për të shpëtuar të burgosurit. Megjithatë, 355 civilë u pushkatuan në Shpellat Ardeatine. Petro Marko duhet të ketë qenë me shumë fat që mësuesi i tij i dikurshëm i shpëtoi jetën. Por, si mundi Ernest Koliqi të shpëtonte nxënësin e tij?
Duket se Kapiteni SS Karl Hass, “miku i Koliqit që nga viti 1943”, ishte një nga dy oficerët që ekzekutuan civilët Italianë në Shpellën Ardeatine. Për këtë krim të rëndë Gjykata Ushtarake e Romës e dënoi në moshën 92-vjeçare.
Takimi i Koliqit me shefin e shërbimit gjerman, Schultz, sjell për lexuesin një
këndvështrim të ri krejtësisht të panjohur të këtij intelektuali shqiptar. Siç shihet nga ky dokument, në takimin e parë midis Koliqit dhe shefit të GIS-it nuk ka asnjë bisedë parimore, intelektuale apo patriotike ndaj çështjes shqiptare apo asaj kosovare.
Kërkesat janë sipas prioritetit:
– një pagesë mujore 250 USD (rreth 2400 USD me të sotmet);
– kërkesa e vagullt për një njohje politike të BKI;
– kërkesa tjetër për një pagë mujore për çdo bashkëpunëtor, që ai sillte në tavolinë për interes të shërbimit gjerman. Ofrimi i tij si rekrutues për informatorë të tjerë rumunë, bullgarë e kroatë për llogari të shërbimit gjerman, hap një dritare të re për të parë me kujdes marrëdhëniet që Koliqi do të kishte me shkrimtarin Camaj.
Me të drejtë mund të pyesim: a ishte bashkëpunimi i tyre një bashkëpunim midis letrarësh apo Camaj u bë informator i Koliqit për shërbimin italian, ku Koliqi kishte vite i punësuar; për atë amerikan, i cili e konsideronte Koliqin një “fabrikë private letrash”; apo për shërbimin gjerman, me oficer kontakti ish-oficerin e SD gjermane Karl Hass?
Po sikur UDB-ja jugosllave, duke ditur kontaktet e Koliqit t’i kishte sjellë pranë një njeri të sajin, që do ta mbante atë nën kontroll? A ishte Koliqi një rekrutues informatorësh apo pa pasur dijeni kishte rënë në rrjetën e UDB-së? Për të kuptuar se në çfarë ujërash notonte Koliqi, le të lexojmë më poshtë se çfarë thotë kundër-zbulimi amerikan në raportin e tij për Karl Hass.
Alois Eder, një tjetër ish-oficer i shërbimit sekret gjerman SD, ka një dosje interesante në arkivin e kundërzbulimit amerikan: i rekrutuar pas lufte nga amerikanët, Edermbante lidhje me sovjetikët dhe kalonte materiale sekrete nëpërmjet Vjenës për GRU-në, shërbimin ushtarak sovjetik. Por, ajo që bie në sy në këtë raport të gjatë është fakti se Karl Hass, miku i vjetër i Ernest Koliqit, ishte një agjent i cili raportet politike të marra nga Koliqi mbi çështjet shqiptare, jo vetëm i nxirrte në treg për të siguruar blerës të mundshëm, por duket qartë se një prej klientëve të tij ishte shërbimi sekret sovjetik KGB.
A kishte dijeni Koliqi se raportet e tij binin në dorën e KGB-së, e cila me shumë gjasa i përcillte në Tiranë? Në dritën e këtyre dokumenteve me vlerë të madhe historike mund të shikojmë një figurë krejt tjetër të intelektualit Koliqi. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe bashkëpunimi i gjatë i Koliqit me Martin Camajn, i cili pas ardhjes në Romë ishte një prej bashkëpunëtorëve me të ngushtë të tij.
Nuk ka asnjë dyshim se Koliqi ishte në qendër të një aktiviteti të rëndësishëm spiunazhi në Romë. Si informator i tri shërbimeve sekrete, si rekrutues si dhe kontribues i materialeve me interes të cilat i kaloheshin KGB-së sovjetike të paktën nga dy burime: Karl Hass dhe Alois Eder. Të dyja këto personazhe naziste të lidhura me Koliqin ishin të përfshira në çështjen e Otto John-it, shefi i shërbimit gjerman të viteve 1950 dhe arratisjen e tij në Bashkimin Sovjetik. Në një letër të interceptuar nga amerikanët, lexohet shqetësimi që të dy këta agjentë gjermanë kanë nëse emri i tyre do të dalë në listën e informatorëve sovjetikë.
Qenia e Koliqit në këtë rrjet spiunazhi duhet parë në kontekstin e kohës. Në qershor të 1953-shit, me gjithë operacionin e CIA-s për mbështetjen e kristian-demokratëve, ata humbën 43 vende në Parlament. E majta siguroi 218 vende, duke krijuar një gjendje paniku në zyrat e CIA-s, pasi sipas William Colby-t, shefi i ardhshëm i CIA-s, i përfshirë në operacionet sekrete në Itali, “votat e përbashkëta të socialistëve dhe komunistëve mund t’i bënin ata forcën me të madhe politike në Itali” (Operation Gladio: The Unholy Alliance between the Vatican, the CIA, and the Mafia). Për këtë arsye, amerikanët hodhën hapa konkretë.
Një prej njerëzve të besuar të Allen Dulles-it (shefi i CIA) erdhi urgjent në Romë. Ishte Carmel Offie, një personazh mjaft enigmatik me origjinë italiane dhe bashkëthemelues i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Offie kishte operuar në Itali gjatë luftës, si pjesë e shërbimit sekret amerikan OSS. Pas 1945-ës kishte qenë pjesëtar në Operacionin “Paperclip”, operacion që kishte të bënte me nxjerrjen e shkencëtarëve nazistë nga Evropa dhe sjelljen e tyre në Amerikë. Ai ishte edhe njëri prej oficerëve që u morën me krijimin e idesë së operacionit klandestin kundër Shqipërisë – Komiteti Shqipëria e Lirë – dhe sponsorizuesi kryesor i caktimit të Hasan Dostit në krye të saj. Njohës i mërgatës shqiptare në Amerikë dhe në Romë, tashmë me një mision të ri, caktimin e një drejtuesi pro-CIA, për shërbimin e fshehtë ushtarak Italian “SIFAR”. Me ndihmën e shefit të zyrës së CIA-s në Romë, Gerry Miller, dhe ambasadorit Claire Boothe Luce, arritën të vendosin në këtë post gjeneralin Giovanni de Lorenzo. Prej këtej mori udhë edhe Operacioni i famshëm Gladio (manipulimi i zgjedhjeve të 1958) dhe ndërtimi i bazës sekrete të CIA-s në Sardenjë.
Në këtë kontekst mund të vendoset lidhja e Koliqit me majorin nazist Karl Hass, i cili ishte ndërmjetësi i shërbimit sekret gjerman dhe SIFAR-it. Përtej depërtimit të mërgatës politike shqiptare ka shumë mundësi që si jugosllavët ashtu edhe sovjetikët kërkonin burimet e tyre për të depërtuar në SIPAR. Hass, miku i vjetër i Koliqit, ishte një prej këtyre burimeve. Ndërkohë, me kalimin e Camajt në Romë, emri i tij nuk del më në raportet e CIA-s. Të paktën në dokumentet e deklasifikuara deri më sot. A mos vallë amerikanët e kishin humbur interesin për letrarin shqiptar që vinte nga Beogradi? Camaj ishte tashmë jo vetëm një person i angazhuar në mërgatën shqiptare të Italisë, por edhe kryeredaktor i revistës kulturore “Shejzat”. “Shejzat” ishin një bashkëpunim i ngushtë me Koliqin, duke i dhënë atij edhe emër në mërgatë; por duke pasur parasysh rolin e Koliqit në këtë periudhë shtrohet pyetja: cili shërbim sekret e ka financuar këtë revistë kulturore? Nga të dhënat e botuara pas viteve 1990, në disa prej dokumenteve të deklasifikuara del qartë se “Shejzat”, ashtu si edhe disa botime të tjera shqiptare, financoheshin nga një fond sekret i shërbimit amerikan i njohur si Exile Policy Division.
Me këtë informacion mbi botuesin e vërtetë të revistës kulturore “Shejzat”, do ta kishim shumë të vështirë të pranonim se amerikanët nuk e dinin se çfarë aktiviteti kryente poeti i ardhur nga Jugosllavia. Me mbështetjen e Koliqit dhe nëpërmjet “Shejzave”, ai mund të operonte në të gjithë mërgatën politike shqiptare duke mbledhur informacion të vlefshëm. Por, pyetja me interesante është se ku shkonte ky informacion? Për gjermanët? Amerikanët? UDB-në apo, nëpërmjet miqve të Koliqit, për KGB-në sovjetike?
Në informacionin e mëposhtëm të siguruar nga agjenti shqiptar “50” del se Camaj me kujdesin e Koliqit paguhej rregullisht edhe nga italianët. Lind pyetja: përse italianët duhej të paguanin një refugjat shqiptar pa asnjë kontribut të njohur pro-italian? Aq më shumë kur përkrah emrit të Camajt lexohet qartë emri Kol Bib Mirakaj, ish-sekretari i Partisë Fashiste në Shqipëri, dhe Gjon Gjinaj, lider i një grupi agjentësh pro-italianë që vepronin në Veriun e Shqipërisë? Nëse Kol Bib Mirakaj i kishte shërbyer Italisë në periudhën e fashizmit dhe Gjin Gjoni në operacionet klandestine të viteve 1949-59, me çfarë arsyetimi shpërblehej Martin Camaj?
E, ndërkohë që Camaj zhvillonte aktivitetin e tij në Itali, “miqtë” e tij të dikurshëm të Sigurimit Shqiptar nuk e kishin harruar. Nëpërmjet raporteve të agjenturës shqiptare në Itali ne mund të ndjekim aktivitetin e Camajt, si dhe bindjen që inteligjenca shqiptare kishte për të, se ai vepronte për llogari të UDB-së dhe inteligjencës gjermane.
Zbulimi Politik Shqiptar e mbante nën vëzhgim duke siguruar të dhëna të hollësishme që nga adresa e banimit, po ashtu korrespondenca që ai kishte me persona të ndryshëm. Po kështu të duket e pamundur që Koliqi, i cili kishte rekomanduar për shërbimin sekret gjerman eksponentë të diasporës kroate, rumune dhe bullgare, të mos kishte afruar edhe Camajn për llogari të shërbimeve sekrete që ai kishte bashkëpunim. Për këtë, puna për nxjerrjen e “Shêjzat” i ofronte atij një mbulim të shkëlqyer. Ndërkohë, nga një numër raportimesh që dërgonin agjentët shqiptarë nga Italia, mund të kuptohet se Revista “Shêjzat” e cila në fillesat e saja kishte shumë pak lexues, tashmë dilte me një tirazh prej 3500 kopjesh, një pjesë e mirë prej të cilave dërgoheshin në Jugosllavi, dhe përveç financimeve amerikane merrte edhe financime Italiane.
Gjermani
Në vitin 1961, Camaj vendoset në Munih. Arsyeja e vërtetë e zhvendosjes së tij është e mjegullt. Megjithëse kishte vënë emër në qarqet albanologjike të Romës, ai lëviz drejt Milanos, ku lë Nina Bogdanoviq Camajn dhe pak më vonë shkon në Munih. Sigurisht, një intelektual në kontekstin e kohës, kërkon të shikojë mundësitë më të mira për angazhimin e veprës së tij.
Roma, për kohën ishte një ambient me një mërgatë të konsoliduar. Arbëreshët në Jug të Italisë mbanin gjallë ende gjuhën shqipe. Revista “Shêjzat” me financim amerikan dilte rregullisht me disa nga penat më të mira të kohës. Camaj ishte i angazhuar në Universitetin e Romës, ku punonte së bashku me Koliqin. Ministria e Jashtme italiane i paguante një rrogë çdo muaj për shërbime shumë të paqarta. Përse vendosi të drejtohej në Gjermani, ku nuk kishte një mërgatë të fortë shqiptare, as ambiente kulturore dhe as qarqe të rëndësishme të albanologjisë?
Në kontekstin e kohës, vitet 1960 ishin vite kur shërbimet sekrete kryesore e kishin humbur interesin e tyre për Shqipërinë. Operacionet klandestine ishin zhvendosur në vende të tjera. Financimet ishin rrudhur shumë e Shqipëria nuk ishte më fushëbeteja e përplasjeve të shërbimeve sekrete. Ndërkohë, emigracioni kosovar në Gjermani po bëhej një faktor në rritje. Mos vallë lëvizja e Camajt për Gjermani kishte të bënte me interesimin e UDB-së për organizatat kosovare? Apo bashkëpunimi i Ernest Koliqit me ish-shefin e SD-së gjermane, Karl Hass, i kishte hapur rrugë edhe Camajt për të qenë në kontakt me këtë shërbim? Mbi këtë pyetje i rikthehemi përsëri informacionit që siguronte Zbulimi Politik Shqiptar për figurat e diasporës.
Pyetjet që lindin nga zhvendosja e Martin Camajt në Gjermani do të përpiqemi t’i analizojmë me disa dokumente të deklasifikuara amerikane që vijnë nga një informator shqiptar i vendosur në Munih. Dokumenti më interesant, që sjell të dhëna të rëndësishme dhe dyshime mbi rolin e Camajt në Gjermani është një raport mbi figurën e Krist Malokit. Ky raport duket se është përgatitur nga një informator i cili operonte për llogari të zbulimit amerikan. Krist Maloki ishte një ekonomist dhe studiues me nënshtetësi austriake, ardhur nga Prizreni. Në rininë e tij njihte mjaft mirë E. Çabejn dhe L. Poradecin. I njohur në rrethet letrare të Kosovës dhe me kontakte të mira në Shqipëri, ai është vendosur nën vëzhgimin amerikan, me shumë gjasë si pasojë e raportimit të informatorit nga Munihu.
Dokumenti i 29 dhjetorit 1966, përgatitur nga Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë, dërgon një raport për dy departamente, Deskun Sovjetik dhe atë të Evropës Juglindore. Ky raport përmbante një “Vlerësim zbulimor” për Prof. Krist Malokin. Të dhënat janë marrë në Munih në nëntor 1966, dukshëm nga një person që e njihte mirë Malokin. Po përse Krist Maloki është vënë në qënder të interesimit amerikan?
Nga ky pasazh kuptohet qartë se Maloki ishte vënë në vëmendje të zbulimit amerikan si një objekt operacional për të mbledhur informacion nëpërmjet Eqrem Çabejt për dy liderët komunistë shqiptarë. Po kush mundet ta ketë njohur Krist Malokin kaq mirë sa të dinte këto marrëdhënie midis këtyre dy personave? Një pasazh na jep një profil të vagullt të burimit tonë. Informatori i Munihut me gjasa nuk është gjerman dhe me sa duket duhet të jetë studiues/gjuhëtar i interesuar qartësisht për Kongresin Filologjik Ballkanik. Pra, informatori në Munih ka botuar një libër në fushën e gjuhës shqipe më 1966, libër ky i blerë dhe arkivuar nga CIA. Me të drejtë lind pyetja: cili studiues ka botuar libër për linguistiken shqiptare në Gjermani me 1966? Nga një kërkim i thjeshtë del se “Albanische Wortbildung” është i vetmi libër që përmbush këtë kriter. Interesante është përmendja e orientalistit të famshëm gjerman, Franz Babinger, në këtë raport. Një studiues i shkëlqyer me një varg veprash të botuara, Babinger kishte ardhur dy herë në Shqipëri. Po cili ishte ai shqiptar me banim në Munih që e njihte Prof. Babingerin?
“Historiaku zâmadh i Universitetit të Münebenit, Prof. Franz Babinger, me 28 mars 1960 mbajti n’Universitet të Romës nji konferencë dituniplote mbi Konstantin Arianit Komnenin, pris shqiptar n’Itali”, kjo ishte hyrja e një artikulli në “Shêjzat” për leksionin e Babingerit, shkruar nga Martin Camaj.
Prof. Babinger ishte takuar në Romë që në 1960 me Martin Camajn, studiuesin dhe letrarin shqiptar që do të vendosej me banim në Munih. Por, e dhëna më interesante për identifikimin e informatorit që raportonte nga Munih për shërbimin sekret amerikan është letra e Camajt për mikun e tij seminarist në Romë, ku konfirmon se e njeh mirë Prof. Malokin, aq sa t’i kërkojë edhe një garanci për ta nxjerrë atë jashtë Jugosllavisë.
Megjithëse dikur Camaj i kërkonte ndihmë profesorit shqiptar, në dokumentin e CIA-s, me nota të holla cinike, informatori i amerikanëve duket se e ironizon profesorin e moshuar, i cili në atë kohë vuante nga një sëmundje e rëndë e syve.
Për ta përmbledhur analizën tonë mund të themi se hartuesi i këtij informacioni për një plan operacional në depërtimin e studiuesve shqiptarë për llogari të shërbimit amerikan më 1966, është i vendosur në Munih. Nuk është ende shtetas gjerman. Ka studiuar në Universitetin e Beogradit në 1952, është i interesuar për linguistikën shqiptare, boton të vetmin libër linguistik për Shqipërinë në Gjermani në vitin 1966, njeh mirë Prof. Babingerin i cili udhëton në Shqipëri, ka raporte konfidenciale me Prof. Malokin dhe, megjithë sëmundjen e këtij të fundit, e propozon atë si një objekt me interes për të nxjerrë informacione nga Eqrem Çabej.
Në ndihmë të zgjidhjes së kësaj enigme na vjen një dokument i Zbulimit Politik Shqiptar, i cili nga një burim shumë i besuar me qendër në Angli, raportonte për Tiranën. Kjo e dhënë e zbulimit shqiptar, si dhe dokumenti amerikan përputhen në detaje për të na dhënë konkluzionin e nevojshëm se Martin Camaj ishte burimi në Munih që kishte lidhje operacionale me shërbimin sekret amerikan, duke propozuar edhe emra konkretë të studiuesve të njohur shqiptarë për këto operacione. Në veçanti Eqrem Çabej, për të cilin Sigurimi i Shtetit fillon një survejim edhe më të rreptë, me dyshimin se Çabej gjatë pjesëmarrjeve në konferenca ndërkombëtare, mund të vendoste kontakte me zbulimet e huaja.
Një dëshmi tjetër shumë interesante mbi marrëdhëniet Maloki-Camaj vjen nga një intervistë e zonjës austriake Maloki, e veja e Krist Malokit, cila rrëfen se Camaj-Koliqi kanë pasur kontradikta me Prof. Malokin. A ishin këto kontradikta mbi çështjen fonetikës së shqipes? Ekonomisë ku Maloki ishte ekspert i fushës? Gramatikës, drejtshkrimit apo diçka shumë më e thellë ka sjellë prishjen përfundimtare midis këtyre studiuesve? Mos vallë Koliqi, rekrutues informatorësh për zbulimet e huaja, ka tentuar të fusë në lojën e shërbimeve sekrete të huaja edhe Prof. Malokin? Mos vallë refuzimi i Malokit është edhe shkaku i mosmarrëveshjeve të cilat ndoshta i sollën edhe humbjen e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Munihut, për të cilën flet e shoqja e tij?
Megjithëse në analizën tonë u morëm në veçanti me figurën e Krist Malokit, nuk ka dyshim se burimi i informacionit nga Munihu ka qenë mjaft aktiv për një kohë të gjatë, duke informuar edhe për emra të tjerë. Janë disa raportime ku puna e lavdërueshme e këtij burimi përmendet në raportimet e Zyrës së CIAs me qendër në Munih. Në dokumentin e datës 12 maj 1966 në një raport të gjatë të CIA-s, ku stacioni i Munihut për Zyrën e Evropës Juglindore, analizon mundësinë e penetrimit të shërbimit sekret shqiptar ndaj emigracionit, të bie në sy edhe një pasazh i shkurtër. Megjithëse me emrin e fshirë, mund të themi se Stacioni i Munihut i referohet burimit tonë. Dokumenti në fjalë është një përmbledhje e personalitetit te Malokit, por edhe të disa shqiptarëve të tjerë.
CIA duket se interesohet për të gjitha personalitetet e mundshme dhe burimi ynë i Munihut ka përgatitur një raport për disa prej tyre, ku përveç Krist Malokit, i cili për hir të së vërtetës ka qenë në listat e CIA-s që në fillimet e viteve 1950 si njeri që vëzhgohej, burimi ynë informon edhe për një tjetër shqiptar, arkitektin Hajdar Kërçiku nga një familje e njohur tiranase, i cili kishte studiuar në Vjenë dhe ishte vendosur ne Graz pas një refuzimi të autoriteteve amerikane për emigracion në ShBA. Kërçiku, i cili kishte familjen në Tiranë, kishte marrëdhënie shumë të mira me Ambasadën Shqiptare në Vjenë, dhe për këtë arsye ishte në listën e njerëzve të survejuar nga ana e amerikanëve.
Megjithëse ky operacion nuk u finalizua, me interes është fakti se zbulimi sekret shqiptar ishte i bindur se Camaj ishte informator i UDB-së. Një tjetër e dhënë me mjaft interes është dëshmia e një personazhi të njohur kosovar, si Jusuf Gervalla. A mos vallë Gërvalla, i cili u vra në atentat nga shërbimet sekrete jugosllave, dinte më shumë se ato që shkruan? Camaj në letrën e tij më 1957, ankohej që qarqet kosovare nuk e donin. Përse vallë? Mos ndoshta martesa me një shtetase serbe kishte prekur sentimentet e kosovarëve? Apo prania e Camajt ne Radio Beogradi dhe anëtarësimi në Komitetin e Prizrenit, një organizatë spiunazhi e UDB-së, e kishin bërë figurën e tij mjaft të dyshimtë? Për të gjitha këto pyetje ndoshta me hapjen e arkivave në Beograd do të mësojmë më shumë.
Për aktivitetin e Martin Camaj në fundin e viteve 1980 ka disa dëshmi mjaft interesante, të cilat në këtë analizë na bëjnë të ngremë disa hipoteza. Fundi i këtyre viteve kishte pasur një zbutje të detyruar të autoriteteve komuniste shqiptare, të cilat shikonin me shqetësim ngjarjet në Evropën Lindore. Disa studiues shqiptarë ishin lejuar për të studiuar në Universitetin e Munihut, ku sigurisht emri i Martin Camajt ishte i njohur për ta. Nga dëshmia e disa prej këtyre studiuesve, mësohet se gjatë takimeve që Camaj bënte me ta, “bisedat e gjata dilnin jashtë kornizës së linguistikës apo interesimin e përgjithshëm ndaj Shqipërisë”. Pyetjet për personalitetet e politikës dhe kulturës shqiptare të kohës, si dhe mbështetjen e tyre politike për regjimin që po rrëzohej, kanë vënë në dyshime bashkëbiseduesit e tij, të cilët edhe pas gati 30 vjetësh i kujtojnë ato si “biseda shumë të çuditshme për një profesor të gjuhësisë”. Këto biseda të asaj ,kohe të vendosura në kontekstin e kësaj analize na bëjnë të besojmë se Martin Camaj edhe në fundin e viteve 1980 fillimin e viteve 1990 vazhdonte aktivitetin e tij në dobi të zbulimeve të huaja që kishin interes për Shqipërinë.
Epilog
Martin Camaj vdiq në 12 Maj 1992. Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, Martin Camaj nuk mundi të vizitonte përsëri vendlindjen. Dosja për vëzhgimin e tij vazhdoi deri në vitin 1992, ku mund të thuhet se materiali i pakët është tejet joprofesional duke nënkuptuar se kundërzbulimi sekret shqiptar kishte humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm.
Veprat e Martin Camajt, dikur të ndaluara, tashmë janë botuar gjerësisht në Shqipëri; megjithëse sipas specialistëve të fushës, shkrimet e tij kanë vlerë letrare, por nuk janë letërsi antikomuniste.
Kapiten Fadil Kapizysi, oficeri i Sigurimit të Shtetit që rekrutoi Martin Camajn, kaloi në detyra të ndryshme dhe më vonë u ngrit në detyrë deri në rangun e zëvendëskryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme. I përfshirë në disa procese të rëndësishme të periudhës komuniste, më i rëndësishmi prej të cilëve ishte ai kundër klerik katolik në Shkodër.
Ernest Koliqi vdiq në Janar 1975 në Romë. I konsideruar si një personalitet i rëndësishëm i letrave shqipe, u varros nga mërgata shqiptare e Romës. Figura e tij letrare është trajtuar veçanërisht nga intelektualët kosovarë dhe më pak në Shqipëri. Për ironi të historisë, ndër medaljet që janë akorduar për të është edhe Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit.
Krist Maloki vdiq në nëntor 1972 nga një sëmundje e pashërueshme. Vitet e fundit i kaloi në verbëri të plotë. Nuk mundi të vinte në Shqipëri siç kishte dëshiruar në fundin e karrierës së tij. Vepra e tij njihet shumë pak në Shqipëri dhe më shumë në Kosovë.
Dom Lazer Sheldija: Miku i Martin Camajt që nga koha e studimeve në Beograd. Vendoset në Romë në një seminar jezuit të propagandës FIDE. Konsiderohej njeri i afërm nga Camaj dhe ishte personi të cilit iu drejtua për ndihmë me letrën e tij nga Beogradi. Nga Roma, Lazer Sheldija emigroi dhe jetoi për mbi 10 vjet në Argjentinë dhe Brazil, dhe më pas u vendos në Kaliforni dhe Nju-Jork.
Sipas gazetës New York Times (28 shtator ‘88), Prifti Sheldija ishte gjetur në banesë i torturuar dhe më pas ishte ekzekutuar me një plumb në kokë. Policia amerikane arrestoi për këtë vrasje dy shqiptarë, që i lëshoi për mungesë provash. Vdekja e tij ka mbetur mister. I çuditshëm është një pohim i Martin Camajt për vrasjen e mikut të vet që nga kohët e emigracionit në Beograd: “Jam i bindun se edhe në vrasjen e Dom Lazrit ka gisht Sigurimi! Po qes nji shembull fort sistematik” (Martin Camaj letër për Gjon Sinishta München, 27 mars 1991 botuar nga B.Demiraj). Në letrën në fjalë nuk ka asnjë shpjegim se përse Martin Camaj mendonte se Dom Lazri u vra nga Sigurimi i Shtetit. Të duket shumë e çuditshme që një prift katolik i larguar shumë herët, me aktivitet fetar në Amerikën Latine dhe me një aktivitet periferik në emigracionin e Nju-Jorkut, të vritej nga shërbimi sekret shqiptar. Aq më pak në fundin e vitit 1988 ku shërbimi inteligjent shqiptar nuk kishte as motiv dhe as mundësi për të bërë një atentat të tillë ndaj dikujt që nuk kishte aktivitet të dukshëm kundër regjimit. Mos vallë Martin Camaj dinte diçka më shumë për arsyet e vërteta të vrasjes së Pater Lazer Sheldisë?
Karl Hass, vdiq në prill 2004 në një shtëpi të moshuarish në Romë. U dënua me burgim më 1998 nga një Gjykatë Ushtarake e Romës për rolin e tij në vrasjen e 355 robërve italianë në Shpellën Ardeatine. Dëshmitar i drejtësisë italiane në gjyqin e nazistit Erich Priebke në 1992, ndryshoi dëshminë duke refuzuar të dëshmonte kundër mikut te tij nazist.
Pader Daniel (Mark) Gjecaj vdiq në Gusht të 2002 në Romë. Mik i afërt me Ernest Koliqin ku bashkëpunoi për revistën “Shêjzat”. Kontribuoi në botimin e një sërë veprash të klerit katolik shqiptar. Redaktor përgjegjës ne Radio Vatikan për emisionet shqip. La pas disa dorëshkrime në shqip. Përfshirja e tij në Komitetin e Prizrenit nuk është shpjeguar asnjë herë nga biografët e tij.