Site icon Telegrafi

“Marrëveshje gjithëpërfshirëse, përqëndruar në njohjen reciproke”, “Presim propozime konkrete për Asociacionin” – gjithçka nga vizita e këshilltarit amerikan në Kosovë

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të mërkurën ishte për vizitë në Kosovë, ndërsa ka takuar liderët e shtetit dhe kryetarët e partive opozitare në vend.

Chollet pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti në vizitën e tij në Prishtinë theksoi se Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës propozime konkrete.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, u shpreh ai.

Sipas tij, dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.

Më tej theksoi se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se do të donin të shpenzonin më pak energji në menaxhimin e krizave.

Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.

Këshilltari amerikan, Derek Chollet /Foto: Ridvan Slivova

Zyrtari amerikan shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën “mbeten shumë të forta”, dhe se vizioni i tyre për vendin është “një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt dhe demokratike”, duke shtuar se janë për integrimin e plotë të vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.

“Ashtu si SHBA-ja, edhe Kosova është një shoqëri e larmishme, multietnike dhe ne besojmë se diversiteti i bën vendet tona më të forta. Ne besojmë se Qeveria e Kosovës duhet ta festojë atë diversitet dhe duhet të vendosë politika që sjellin sukses për të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

Chollet tha se duhet të festohet për të gjitha ato që ka arritur Kosova ndër vite, por shtoi se do të “vijnë shumë sfida”.

“Ne nuk duam ta shohim duke u shpërdorur gjithçka që është arritur dhe nuk duam ta shohim atë potencial të madh, që mendoj se është real, të parealizuar”, tha ai.

Ndërkaq, në një njoftim të Zyrës së Presidentes thuhet se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Këshilltari amerikan, Derek Chollet dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, është shprehur Osmani.

Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike.

“Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve”, u tha në njoftimin për media.

Këshilltari amerikan pas takimit me Osmanin, u takua në Qeverinë e Kosovës edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Këshilltari amerikan, Derek Chollet dhe kryeministri Albin Kurti /Foto: Ridvan Slivova

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim u diskutua për procesin e dialogut, planin evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se Kurti e njoftoi Chollet me punën e qeverisë në vitin që sapo lamë pas.

“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe, Chollet ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare dhe atë të Listës Serbe.

Chollet, në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane. /Telegrafi/

 

Exit mobile version