Telegrafi

Marrëveshja me Serbinë për energjinë, Kurti: Lajm i mirë, vendit i është shkaktuar dëm i madh nga mosinkasimi

Foto: Arkiv

Kosova dhe Serbia kanë arritur sot marrëveshje për çështjen e energjisë në veri, ndërsa pas kësaj ka reaguar kryeministri Albin Kurti i cili e ka quajtur lajm të mirë.

Se kur pritet të fillojë inkasimi i energjisë së shpenzuar në veri, Kurti ka thënë se detajet për këtë do të jepen nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje.

Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, theksoi ai, raporton kp.

Ndryshe, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.

Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.

“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

Edhe i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes, duke e quajtur këtë si hap të madh përpara. /Telegrafi/