Alvaro Morata nuk i ka humbur shpresat për t’iu bashkuar Barcelonës para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, ndërsa agjenti i tij po punon me Atletico Madridin dhe Juventusin për të arritur marrëveshje.
Është një operacion kompleks, për shkak të statusit aktual të sulmuesit dhe duhet që të tre klubet të arrijnë marrëveshje.
Spanjolli është në pronësi të Atleticos dhe ka marrëveshje deri në qershor të vitit 2023. Ai iu bashkua Juves në shtator të vitit 2020 në formë huazimi dyvjeçar për 20 milionë euro me opsionin për ta blerë për 35 milionë euro të tjera.
Bianconerët duket se nuk janë të interesuar që ta aktivizojnë atë opsion, megjithëse Massimiliano Allegri nuk është i interesuar që ta lejojë largimin e Moratas në janar, përkundër arritjes së Dusan Vlahovic nga Fiorentina.
Sipas raportimeve të Sky Sport Italia, Sport Mediaset, Sport dhe mediave tjera, agjenti Juanma Lopez është duke mbajtur takime me Atleticon për të gjetur një mënyrë që të ndodhë transferimi në Camp Nou.
Los Rojiblancos janë duke mbajtur qëndrim, sepse do ta lejojnë kalimin te një rival i La Ligas vetëm nëse ka garanci se Barca do ta paguajë menjëherë çmimin e blerjes prej 35 milionë eurosh.
Huazimi gjashtëmujor do t’i shërbente edhe Juventusit financiarisht, sepse Blaugranët do të duhej t’ia jepnin pesë milionë euro Zonjës së Vjetër (gjysmën nga 10 milionë eurot që bardhezinjtë ia kanë paguar klubit madrilen për këtë sezon).
Çështja tjetër është se Blaugranët duhet ta largojnë Ousmane Dembelen dhe pastaj do të kishte përparim në bisedime, meqë është raportuar se francezi dëshiron të largohet në janar dhe jo të presë përfundimin e kontratës në verën që vjen. /Telegrafi/