Site icon Telegrafi

Marotta: Paul Pogba tek Manchester United, marrëveshja më e vështirë në karrierën time

Drejtori i Interit, Beppe Marotta në një intervistë, diskutoi për punën brenda një buxheti të rreptë nga pronarët “Suning Group” si dhe tregoi për marrëveshjen më të vështirë në karrierën e tij, që ishte shitja e Paul Pogba te Manchester United.

Shefi i Nerazzurrëve ishte i ftuar në ceremoninë e shpalljes së emrave për çmimin “Golden Boy” për vitin 2023, ku dhe u pyet për punën e tij shumëvjeçare në futbollin italian.

“Negociatat për Pogban ishin më të vështirat, bisedimet u zhvilluan për tre ditë pa ndërprerje, të mbyllur në një hotel me drejtorët e Manchester United”, zbuloi fillimisht Marotta.

“Në të njëjtën kohë, ne nënshkruam me Gonzalo Higuain, por fillimisht duhej të shisnim Pogban për të mbledhur fondet. I kisha kërkuar Andrea Agnelli-t leje për të vazhduar, gjë që ishte paksa e rrezikshme, pasi Gonzalo mund të kishte shkuar në Barcelonë”, vazhdoi Marotta.

Pogba u transferua si lojtar i lirë nga Manchester United me Marottan që udhëhoqi negociatat në vitin 2012, më pas Juventusi e shiti atë në  “Old Trafford” për mbi 100 milionë euro vetëm katër vjet më vonë.

Lexo po ashtu Mund të marr kthesë të madhe çështja e dopingut të Paul Pogba, shfaqet një rrethanë lehtësuese për francezin

Ky nuk ishte fundi i historisë, pasi mesfushori u kthye sërish në Torino falas në verën e vitit 2022.

Në Juventus, Marotta punoi gjithashtu me mesfushorin kilian, Arturo Vidal, i cili u bë mjaft i famshëm për veprimet e tij jashtë fushës.

Marotta dhe Vidal u ribashkuan në Inter, aty ku klubi drejtohet nga konglomerati kinez “Suning Group”, i përfaqësuar në Itali nga presidenti Steven Zhang.

Në dhjetor të vitit 2018, Beppe Marotta vendosi që detyrën e tij si drejtor sportiv ta vazhdojë tek Interi pas një aventure me kampionin e shumëfishtë italian, Juventus.

“Interi është hera e parë që kam punuar me pronarë të huaj. Ata kanë bërë investime të mëdha, duke investuar pothuajse 1 miliard euro. Pronarët na kanë garantuar se ne mund të krijojmë një skuadër konkurruese pavarësisht se investimet aktuale janë të vogla”, përfundoi Marotta./Telegrafi/

Exit mobile version