Menaxheri i përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka thënë se ende asgjë konkrete nuk ka ardhur nga Chelsea dhe Milani për Gonzalo Higuainin.
Sulmuesi argjentinas pritet të largohet nga bardhezinjtë këtë afat kalimtar të verës pas dy sezoneve të kaluara në Torino që nga transferimi nga Napoli.
Largimi i tij thuhet se vjen pas transferimit të yllit portugez, Cristiano Ronaldo nga Real Madridi, duke e vënë argjentinasin poshtë renditjes në garë për një vend titullari.
Rreth largimit të Higuain ka folur edhe menaxheri i përgjithshëm i Juventusit, Marotta, i cili repartin e sulmit e ka cilësuar si të mbushur, ndërsa për interesimin e Chelseat dhe Milanit ka thënë që nuk ka asgjë konkrete.
“Unë nuk do ta mohoj se me shtimin e Cristiano Ronaldos kemi një departament cilësor të sulmit, por që është pak i mbushur me njerëz”, ka thënë fillimisht Marotta për Sky.
“Ne do t’i vlerësojmë gjërat me Higuain, por asgjë konkrete nuk ka ardhur nga Chelsea dhe Milani”.
Marotta është gjithashtu nën presion nga Leonardo Bonucci, pasi kapiteni i Rossonerëve e ka bërë të qartë se dëshiron të kthehet në Juve.
“Ai është lojtar i Milanit në çdo aspekt dhe nuk mund të shkoj përtej vlerësimit”, përfundoi menaxheri i përgjithshëm i Zonjës së Vjetër. /Telegrafi/