Pep Guardiola dëshiron të forcojë mbrojtjen e Manchester Cityt duke tentuar rrëmbimin e dy yjeve të Interit këtë verë.
Skuadra angleze është në prag të humbjes së titullit të tyre në Ligë Premier, pasi Liverpooli është dy ndeshje larg nga sigurimi i titullit të parë të ligës në 30 vjet.
Sipas gazetës italiane Tuttosport, Guardiola dëshiron të forcojë mbrojtjen e tij për sezonin e ardhshëm duke bërë blerje në Nerazzurri.
Milan Skriniar thuhet se është lojtari i parë në listën e dëshirave të Guardiolas.
Mbrojtësi qendror është në Giuseppe Meazza për tre sezone dhe është shfaqur si njëri nga mbrojtësit më të mirë në Evropë.
E përditshmja italiane spekulon se Man City po përgatit një ofertë në rajonin e 90 milionë euro për transferimin e sllovakut.
Sidoqoftë, Guardiola dëshiron edhe mbrojtësin e talentuar italian, Alessandro Bastoni. 20-vjeçari, i cili ka befasuar të gjithë me nivelin e treguar te Nerazzurrët, ka fituar zemrën e trajnerit katalunas.
Megjithatë, mendohet se Interi do të refuzojë çdo ofertë të propozuar për Bastonin, pasi trajneri Antonio Conte mendon shumë për të riun. /Telegrafi/