Shtatorja e kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi, do përurohet sot (e premte) në vendlindjen e saj në Pejë.
Sportistja më e mirë në Kosovë e zgjedhur nga Komiteti Olimpik për vitin 2019, u shpreh se është shumë e nderuar që Federata Botërore e Xhudos e ka zgjedhur për t’i ndërtuar statujë, pasi që sipas saj në botë ka shumë xhudistë të mirë.
“Jam shumë e lumtur, jam shumë krenare, nuk e di se sa njerëzve të gjallë iu kanë bërë statuja, kështu që jam shumë e lumtur që unë jam njëra prej tyre. Më gëzon shumë fakti që më kanë përzgjedhur mua Federata Botërore se e dimë në botë sa ka xhudistë të mirë, kështu që të më përzgjedhë mua, është seriozisht nder jashtëzakonisht i madh”, u shpreh është shprehur Majlinda, citon KP.
Sa i përket vendit se ku do të vendoset kjo statujë, Kelmendi tha se nuk është problem për të. Sipas saj më mirë kishte me qenë që kjo statujë të vendosej në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, mirëpo edhe në Pejë, përkrahësit e saj nëse dëshirojnë do të shkojnë ta shohin atë.
“Nuk po dua të jem vetjake, kështu që po mendoj se do të kishte qenë më mirë në Prishtinë, por prapëseprapë unë e di që njerëzit në Kosovë më duan shumë, më përkrahin shumë dhe nëse dëshirojnë të më shohin, do të vijnë edhe në Pejë të më shohin”, deklaroi Kelmendi.
Përurimin e shtatores do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili gjithashtu ka qenë i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës mbrëmë, aty ku Majlinda Kelmendi u zgjodh për herë të tretë sportistja më e mirë në Kosovë.
Kujtojmë që Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.