Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se planifikon t’i thotë presidentit amerikan, Donald Trumpit javën e ardhshme se ai nuk mund të përballojë të jetë i dobët përballë homologut rus, Vladimir Putinit.
Macron pritet të vizitojë Uashingtonin të hënën e ardhshme, ku thotë se do të përpiqet ta bindë liderin amerikan se interesi i tij është “i njëjtë me tonin”.
“Do t’i them atij: thellë, thellë, nuk mund të tregosh dobësi përballë presidentit, Vladimir Putin. Kështu nuk jeni ju dhe kjo nuk është në interesin tuaj”, pohoi lideri francez.
Duke folur gjatë një sesioni të drejtpërdrejtë me pyetje-përgjigje në platformën X për Ukrainën dhe sigurinë evropiane, Macron tha se Trump “po krijon pasiguri sepse dëshiron të arrijë një marrëveshje shpejt”.
Je réponds en direct à vos questions sur l’Ukraine et la sécurité de l’Europe. https://t.co/kK7lsNWDQg
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) February 20, 2025
Ai shtoi se kjo pasiguri ndikon tek Putini, i cili nuk e di se çfarë mund të bëjë presidenti amerikan më pas.
Sa i përket Volodymyr Zelenskyt, të cilin Trump e quajti këtë javë diktator, Macron tha se presidenti ukrainas është legjitim.
Udhëheqësi francez theksoi se Zelensky është zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, gjë që nuk është rasti me Putinin.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Rusia janë takuar së fundi në Riad të Arabisë Saudite për të negociuar ndërprerjen e luftës në Ukrainë. /Telegrafi/