Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të enjten se kushtet e vendosura nga presidenti rus, Vladimir Putin për një armëpushim në Ukrainë “nuk janë të pranueshme për askënd”.
“Unë nuk shoh një zgjidhje diplomatike në orët e ardhshme apo edhe ditët në vijim”, tha Macron para gazetarëve në Versajë përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian që do të përqëndrohet në pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjet për rritjen e çmimeve të energjisë dhe më pak varësi nga gazi dhe nafta ruse.
Macron tha se nuk e sheh një armëpushim që mund të arrihet në orët e ardhshme në Ukrainë, “Unë jam padyshim optimist, por duhet të jem edhe realist”, raporton euronews.
Duke folur për kërkesën e Ukrainës për një pranim të shpejtë në BE, Macron u tha gazetarëve se “Me një vend në luftë? Nuk mendoj kështu… A duhet ta mbyllim derën dhe të themi “kurrë”? Kjo do të ishte e padrejtë”.
Presidenti francez tha se lufta në Ukrainë është një “tragjedi … një tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”, por shtoi se “do të çojë në ripërcaktimin e plotë të arkitekturës së Evropës”.
Ndryshe, Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. /Telegrafi/