Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se homologu i tij rus Vladimir Putin kishte bërë një “gabim historik dhe thelbësor” duke sulmuar Ukrainën dhe se ai tani është “i izoluar”.
“Unë mendoj – dhe ia thashë – se ai bëri një gabim historik dhe themelor për popullin e tij, për veten dhe për historinë”, ka thënë Macron në ditën e 100 të konfliktit, në një intervistë me një gazetë rajonale franceze.
“Unë mendoj se ai u izolua. Është një gjë të izolosh veten – të dish se si të dalësh prej saj është e vështirë”, theksoi gjithashtu Emmanuel Macron.
Presidenti francez përsëriti se ishte e nevojshme “të mos poshtërohet Rusia” – fjalë që u pritën shumë keq në Evropën Lindore – “në mënyrë që ditën që luftimet të ndalojnë, ne të mund të ndërtojmë një rrugëdalje përmes kanaleve diplomatike”.
I shtyrë për të shkuar në Kiev, ndërsa shumë nga homologët e tij evropianë kanë qenë tashmë atje, ai tha se “nuk po përjashtonte asgjë” në këtë moment.
“Ne duam të rrisim mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Dhe së fundi, të bëjmë gjithçka për të nxjerrë grurin nga Ukraina”, shtoi ai, duke qenë në kontradiktë me Putinin, për të cilin eksporti i grurit “nuk ishte problem”.
Ndryshe, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur që kur Rusia filloi agresionin mbi Ukrainë më 24 shkurt, duke krijuar krizën më të rëndë të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. /Telegrafi/