Presidenti francez, Emmanuel Macron ka siguruar homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky se do ta mbështesë “në skenën ndërkombëtare” planin e tij të paqes, njoftoi Pallati Elysee.
Në një bisedë telefonike me Zelenskyn, Macron “ripohoi angazhimin ndaj planit të paqes prej 10 pikash të propozuar nga i pari i shtetit ukrainas dhe e siguroi atë se do ta mbështeste iniciativën edhe në skenën ndërkombëtare gjatë ngjarjeve diplomatike, të cilat do të mbahen në vijim”, thuhet në deklaratën e presidencës franceze.
Në Twitter, Zelensky vlerësoi “vazhdimin e dialogut miqësor” me homologun francez dhe konfirmoi se të dy diskutuan rreth “zbatimit të planit të paqes”.
Продовжив дружній діалог із Президентом Франції @EmmanuelMacron. Говорили про оборонну співпрацю та наближення миру. Підбили підсумки останніх візитів і детально обговорили наступні дипломатичні заходи, зокрема щодо реалізації нашої десятикрокової #ФормулаМиру.
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) February 19, 2023
Kjo bisedë vjen një ditë pas intervistës së Macronit me median franceze, në të cilën ai tha se dëshiron që Rusia të mposhtet në Ukrainë.
Në muajin dhjetor, Zelensky u kërkoi udhëheqësve të vendeve të Grupit të Shtatë (G7) të mbështesin idenë për një samit global të paqes.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/