Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie, është paraqitur lënda që thërret në interpelancë ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
LVV njofton se këtë lëndë e ak paraqitur nënkryetarja e partisë, Fatmire Mulhaxha Kollçaku për çështjen e patrullimit të pjesëtarëve të ushtrisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
“Vetëpërjashtimi që po bënë Qeveria e Kosovës nga përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore për të kontrolluar kufijtë dhe integritetin territorial dhe për të mbrojtur qytetarët, është i papranueshëm dhe dëmton edhe më shumë pozitën e Kosovës. Kjo sjellje e papërgjegjshme sikur ajo pjesë nuk është brenda territorit të Republikës së Kosovës vetëm sa nxitë ndërhyrjet e Serbisë”, thuhet në komunikatë.
“Sot, Nënkryetarja e Lëvizjes, njëherit deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka paraqitur lëndën që thërret në interpelancë Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, për çështjen e patrullimit të pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës”, njofton LVV-ja.
Ndryshe, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë filluar planin me Policinë Kufitare për veprimtaritë operacionale të përbashkëta që do të bëhen në zonën e Komunës së Kamenicës.
Përmes një komunikate për medie, KFOR ka njoftuar se këto plane nisën pas takimit që pati dje Sherfi i operacioneve të misionit të KFOR-it në Kosovë dhe drejtoritë të PK-së, Rashit Qalaj.
Kurse, ditë më parë, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur tejet të brengosur, për faktin se nëpër parkingun e një restoranti të këtij fshati janë parë dhe filmuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe duke kaluar. /Telegrafi/