Lëvizja Vetëvendosje sot është duke e mbajtur procesin e brendshëm zgjedhor. Qendrat e votimit janë hapur në orën dhjetë dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Votën e tij tashmë e ka dhënë edhe kryeministri Albin Kurti, njëherit kandidati i vetëm sërish edhe për një mandat në krye të LVV-së.
Ai ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë së tij për punën që kanë bërë deri më sot.
“Sot është ditë e demokracisë në LVV-në, për shkak se kemi zgjedhjet e brendshme dhe secili anëtarë i subjektit tonë politikë mund dhe duhet të dëgjohet. Në 46 qendra apo degë të lëvizjes sonë mbahen zgjedhjet për kryetarë të lëvizjes, kryetare të strukturës së re “gratë për VV”, për kryetarët e strukturës të re, rinia për VV, por gjithashtu edhe për nivelet e qendrave apo të degëve në 26 sosh, mbahen zgjedhjet për kryetar të qendrave”, tha ai.
Votën e saj e ka hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se sot është dita e demokracisë në LVV.
“Ftoj të gjithë anëtarët që të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes, për të vendosur jo vetëm për lëvizjen por edhe për vendin përmes votimit të tyre në organizatën politike më të madhe në vend”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/