Site icon Telegrafi

​LVV i konsideron të padrejta masat e BE-së ndaj Kosovës

Masat ndëshkuese të paralajmëruara nga Bashkimi Evropian për Kosovën po konsiderohen të padrejta nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas partisë në pushtet, BE-ja duhet të vendosë masa ndaj Serbisë që po shkel vlerat e demokracisë dhe jo ndaj Kosovës që po punon për ligjshmëri dhe vlera mbi të cilat vet Bashkimi Evropian është krijuar.

Mirëpo, ndryshe e sheh analisti politik, Visar Xani, i cili i konsideron shqetësuese dhe goditje për Kosovën masat e paralajmëruara nga BE-ja.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtare edhe e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme,Fitore Pacolli thotë se qeveria është në të drejtën e saj për situatën në veri, andaj nuk mund të vendosen masa vetëm pse kryetarët e zgjedhur po ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale dhe po vendoset sundimi i ligjit atje.

“Është e padrejtë që të vendosen sanksione ndaj një qeverie, e cila po punon për thellimin e demokracisë. Ne po flasim për Bashkimin Evropian, i cili mund të vendosë sanksione vetëm mbi shtetet që shkelin vlerat e demokracisë, që nuk punojnë në koordinim me parimet që është ndërtuar vet Bashkimi Evropian. Ne si Kosovë dhe Qeveria e Kosovës po punon aktivisht që të thellojmë demokracinë në Kosovë. Po punojmë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian, mbi ato vlera, të cilat vet Bashkimi Evropian është krijuar…(BE-ja) Nuk do të duhej që të dërgonte këso sinjale për sanksione ndaj Kosovës. Sanksionet duhet t’i vendosen Serbisë, tashmë të gjithë këtë e dinë, mirëpo fatkeqësisht qëndrimi i tyre është i padrejtë dhe ne po mundohem t’iu sqarojmë se Kosova është në rrugën e saj të drejtë dhe nuk ka sens që të vendosen sanksione mbi Kosovën”, thotë Pacolli.

Por, analisti Visar Xani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shmanget kjo situatë dhe të pranohet plani trepikësh i Bashkimit Evropian për deeskalimin e situatës në veri.

Ai shton se ekzekutivi duhet të ridizajnojë qëndrimin karshi këtyre kërkesave që të rikthehet normaliteti në vend, pasi, sipas tij nëse hyn në fuqi masat ndëshkuese të BE-së do të jenë një goditje e rëndë për Kosovën.

“Trepikëshi evropian është i panegociueshëm, veçse Kosova duhet të gjejë mundësinë për të ridizajnuar qëndrimin e saj karshi këtyre kërkesave për të adaptuar këtë. Po ashtu duhet të jetë në frymën e koordinimit dhe bashkëpunimit, pasi kushtet evropiane edhe me mbështetjen amerikane duket se janë të panegociueshme. Si të tilla duhet kuptuar dhe sa më herët aq më përparësi e mirë do të jetë për Kosovën. Pasi nëse bëhet vonë që ne të arrijmë të jemi në hap me faktorin ndërkombëtar, atëherë goditjet për neve do të jenë më të mëdha”, deklaron ai.

Gjatë kësaj jave, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman ka paralajmëruar se do të ndërmarrin një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, raporton kp.

Këto masa i ka komentuar edhe kryeministri Albin Kurti, sipas të cilit Bashkimi Evropian te Kosova e gjejnë partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Ai ka thënë se në raste kanë qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë cinik apo të hidhëruar.

Në anën tjetër, në kuadër të planit trepikësh të Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri, i cili deri tash s’po gjen zbatim, janë që kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të punojnë në objekte alternative, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga objektet komunale dhe të organizohen zgjedhjet e reja atje.

Exit mobile version