Site icon Telegrafi

Luksi dhe fitimet e mëdha: Sa kushton vila e Radoiçiqit dhe si u pasurua kaq shumë ky njeri?

Vila e Milan Radoiçiqit, e cila ditë më parë është bastisur nga policia e Kosovës, ka ngritur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe.

Dhe në këtë drejtim, mediat serbe kanë shtruar pyetjen se si fitoi kaq shumë pasuri “mbrojtësi i serbëve në veri të Kosovës” dhe a është ai një “Pablo Escobar”?

Bëhet fjalë për një vilë me luks të madh në bregun e liqenit në veri të Kosovës – pronari i së cilës është Milan Radoiçiq – siç pohon policia e Kosovës dhe askush nga pala serbe nuk e mohon.

“Është një shfaqje force, në një farë mënyre. Kjo flet vetëm për fuqinë. Krijon një imazh tjetër pushteti, paprekshmëri. E shikon çfarë vile ka, mos u ngatërro me të. Besoj shumë se ai ishte mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës”, ka thënë Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu “Video të reja nga Kosova tronditin Serbinë...”: Si i raportuan mediat rajonale pamjet e fundit të publikuara nga Policia e Kosovës

Dhe sipas mediumit në fjalë, Radoiçiq ishte edhe lider joformal i serbëve në veri të Kosovës, i angazhuar politikisht si nënkryetar i Listës Serbe.

Bëhet fjalë për njeriun i cili së bashku me kumbarin e tij Zvonko Veselinoviq, që nga viti 2013 është i lidhur me shumë afera të dyshimta.

“Ata u gjykuan për krim të organizuar, nuk u dënuan. Disa procedura ende ekzistojnë. Ata janë në listën e zezë të SHBA-së, ku shkruhet, jo vetëm për krim të organizuar dhe lëndë narkotike, por përmendet edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit. Ai vetëm tani, me rastin e kësaj tragjedie, ka dhënë disa dëshmi, por nuk bëhet e ditur prejardhja e asaj pasurie, se si kompanitë në të cilat ai është bashkëpronar, së bashku me kumbarin e tij Veselinoviq, marrin projektet më të rëndësishme shtetërore dhe se si ato kompani kanë një qarkullim të madh”, shpjegon gazetari i NIN-it, Vuk Cvijiq.

Siç vë në pah mediumi serb, objekte të ngjashme kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi edhe më parë, përcjell Telegrafi.

Kështu, përmendet një vilë në të cilën janë të praruara bravat, në të cilën veprat e artit kushtojnë shtrenjtë dhe ishte selia e Dushan Spasojeviqit – që ishte kreu i një prej grupeve më të mëdha kriminale serbe në histori, klanit të Zemunit.

Lexo po ashtu Nga deklarimi i Milan Radoiçiqit se organizoi sulmin terrorist e deri të sekuestrimi i pasurisë së tij

“Ne e dimë nga vendimet gjyqësore se klani i Zemunit ishte krahu i zgjatur i Sllobodan Millosheviqit. Kjo është arsyeja pse u rrit. Nga disa gjykime dimë se ai ka shërbyer si logjistikë për vrasjet politike. Në anën tjetër, Dushan Spasojevoqi nuk ka qenë nënkryetar dhe anëtar i rëndësishëm i SPS-së dhe ky njeri është nënkryetar i Listës Serbe, pra dega e SNS-së në Kosovë”, beson Cvijiq.

Ndryshe, Radoiçiq dorëzoi dorëheqjen nga Lista Serbe, pasi siç tha ai, kjo nuk do të dëmtonte popullin serb.

E ndërsa në vilën në Shilerova janë investuar 8.5 milionë marka gjermane të atëhershme, ndërtesa e Radoiçiqit është ende në pritje të një vlerësimi. /Telegrafi/

Exit mobile version