Interi është i acaruar pas raportimeve se Juventusi filloi negociatat me Romelu Lukakun në mars, por Zonja e Vjetër mohon të ketë thyer çdo rregull, detajon La Gazzetta dello Sport.
Mediumi italian ka detajuar se si dyshohet se u hapën bisedimet midis Bianconerëve dhe avokatit të belgut Sebastian Ledure në mars dhe dy ditë pas finales së Ligës së Kampionëve në qershor, lojtari thuhet se ra dakord me kushtet e një kontrate.
Interi është thellësisht i zemëruar me situatën dhe është i gatshëm të luftojë çështjen e tyre, i shqetësuar se Juventusi mund të ketë ‘joshur’ Lukakun – në thelb duke e kontaktuar atë pa marrë më parë autorizimin e duhur nga klubi i tij, diçka që është kundër rregulloreve të FIFA-s.
Nerazzurrët janë gjithashtu të shqetësuar se këto bisedime me Juventusin mund të kenë ndikuar në performancën e Lukakut në finalen e Ligës së Kampionëve, ku ai kishte një ndeshje për të harruar kundër Manchester Cityt.
Juventusi mohon këto raportime dhe pretendon se ata nuk i kanë hapur bisedimet me Lukakun deri në korrik, pasi ai u kthye në Chelsea. Sugjerimi i tyre është se ata e kanë telefonuar sulmuesin belg vetëm pasi kanë marrë lejen nga blutë.
Zonja e Vjetër është ende duke negociuar një marrëveshje të mundshme shkëmbimi me Chelsean dhe kjo javë mund të jetë vendimtare për të parë Lukakun të bëjë kërcimin në Torino. /Telegrafi/