Romelu Lukaku ka pranuar se Serie A është taktikisht dhe teknikisht ligë më e mirë, porse në Angli zhvillohet futboll me intensitet të lartë.
Sulmuesi belg u largua nga Interi për t’iu bashkuar Chelseat, ndërsa në sezonin e kaluar e fitoi Scudetton nën drejtimin e Antonio Contes.
“Nuk flas për ambiciet e mia personale, por ato përputhen me ambiciet e klubit. Prandaj jam kthyer. Chelsea dëshiron të vazhdojë të fitojë, të vazhdojë të rritet si klub dhe ta dominojë vërtet Anglinë dhe Evropën”.
“Kjo është diçka që kam dashur edhe unë dhe jam këtu, prandaj më takon mua t’i ndihmoj skuadrës të arrijë potencialin e vet”, ka thënë Lukaku për faqen zyrtare të Bluve.
28-vjeçari gjeti formën jetësore te Nerazzurrët duke shënuar 64 dhe duke prodhuar 16 asistime në 95 ndeshje zyrtare. Tash, kur e ka provuar edhe Serie A edhe Ligën Premier, ka bërë krahasime mes tyre.
“Italia është taktikisht dhe teknikisht ligë më e mirë, por këtu në Angli ka të bëjë me intensitetin. Kjo e bën dallimin, por nuk është problem për mua, sepse kam luajtur këtu për tetë vite dhe e di si është”.
“Nuk është sikur jam lojtar i ri që vjen dhe nuk e di çfarë të presë. E njoh ligën, kam shënuar një numër të mirë të golave këtu, por e kaluara është e kaluara dhe tash duhet të shikojmë përpara”, ka deklaruar Lukaku.
Pas transferimit prej 115 milionë eurosh, 28-vjeçari është bërë lojtari më i shtrenjtë që është shitur ndonjëherë nga një klub i Serie A. /Telegrafi/