Telegrafi

Loriana Kuka fiton pikët e para olimpike për Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’

Xhudistja nga Kosova, Loriana Kuka, i ka fituar pikët e para Olimpike për Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’.

Ajo fitoi një luftë dhe është mposhtur në të dytën në Grand Prixin e xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Në kategorinë deri 78 kilogramë, Loriana mposhti Kari Leon, kurse u mund nga Mami Umeki e Japonisë, thuhet në njoftimin e KOK.

Edhe trajneri Driton Kuka ka shkruar për suksesin e Lorianës përmes një postimi në Facebook.

Lexo po ashtu Lajmet për XHUDO

“Loriana shënoi pikët e para drejt Tokios, shënoi një fitore dhe pësoi nga japonezja në luftën e dytë!”, ka shkruar Kuka.

Kujtojmë që të premten, Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë dhe 350 pikë olimpike.

Ndërkohë, Shpat Zeka dhe Laura Fazliu kanë fituar medaljet e bronzta në ‘Kampionatin Evropian U-20’ që po mbahet në Rumani. /Telegrafi/