Sulmuesi i Sevillas, Rafa Mir është një nga emrat e fundit më të përfolur në afatin kalimtar të janarit, ndërsa edhe pse ai ka rezistuar për në largim të mundshëm, situata duket se ka ndryshuar.
Ngjarjet e fundit, nga mosbesimi i trajnerit Quique Sanchez Flores e deri te fishkëllimat në stadiumin “Sanchez-Pizjuan” në ndeshjen kundër Osasunas, kanë bërë që futbollisti të hapë derën për një largim.
Klubet që e duan nuk janë të pakta, më mirë të themi janë të shumta, duke filluar nga Trabzonspor që ka paraqitur një ofertë te Sevilla për huazim me opsion blerjeje për të blerë sulmuesin.
Por Rafa Mir nuk po e mendon këtë opsion, pasi për momentin është i përjashtuar opsioni i largimit për në Turqi. Ka alternativa të tjera duke nisur nga klubet si Wolfsburg dhe Torino, por lista nuk përfundon këtu.
Stuttgart, Lille, Dallas, Verona, Monza, Lyon, Los Angeles FC janë klubet që kanë kërkuar informacion, por Mir asnjërës nuk i ka thënë ‘po’.
Spanjolli ka luajtur 22 ndeshje për Sevillan këtë sezon, ku ka shënuar tre gola dhe ka dhënë një asistim.
Numërimi mbrapsht ka nisur, por nuk përjashtohet mundësia që ai të qëndrojë. /Telegrafi/