Site icon Telegrafi

Lojtarët e Shqipërisë që mund të kenë rritje në karrierë dhe të ndërrojnë klub pas Euro 2024

Disa nga lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë kanë pasur paraqitje brilante në Kampionatin Evropian ‘Gjermani 2024’ dhe në këtë afat kalimtar mund të bëjnë ngritje në karrierë duke nënshkruar me klube të mëdha.

Kombëtarja e Shqipërisë mbylli aventurën në Kampionatin Evropian, duke përfunduar e katërta në Grupin B, me vetëm një pikë. Kuqezinjtë në tri ndeshjet e grupeve humben nga Italia me rezultat 2-1, barazuan 2-2 me Kroacinë dhe në fund u mposhten 1-0 nga Spanja.

Megjithatë, disa nga lojtarët bënë paraqitje të nivelit të lartë, duke qenë në krye të detyrës në të tri ndeshjet e Grupit B.

Por, cilat janë lojtarët që patën paraqitje të mira dhe mund të ndryshojnë klub, duke pasur ngritje në karrierë.

Lexo po ashtu Sondazh: Renditni më të mirët e Shqipërisë në Euro 2024

I pari është portieri Thomas Strakosha, i cili pati 13 pritje vendimtare në tri ndeshjet e luajtura apo 4.3 pritje me një përqindje saktësie prej 72%.

Strakosha ka luajtur më parë rregullisht të Lazio, por pas kalimit te Brenfordi në Ligën Premier ka pasur vështirësi.

Tani me paraqitjet e tij brilante në Euro 2023, Strakosha mund të kthehet te ndonjë klub elitar në top pesë ligat evropiane.

I dyti në listë është mbrojtësi i majtë, Mario Mitaj, i cili me fanellën e Shqipërisë po shkëlqen vazhdimisht dhe ka shkuar duke e rritur nivelin në çdo ndeshje.

20-vjeçari luan me Lokomotiv Moskën në Rusi, por gjatë afatit kalimtar të verës shumë lehtë mund të përfundoj në njërin nga pesë kampionatet kryesore evropiane.

Kampionati italian, Serie A, shihet si destinacioni më i mundshëm i tij me shumë klube që tashmë kanë shprehur interesim për shërbimet e Mitajt.

Lexo po ashtu “Nga goli më i shpejtë te tifozët fantastikë, Shqipëria solli surpriza në Euro 2024”, Reuters shkruan për kombëtaren kuqezi

I treti, por jo nga rëndësia është sulmuesi anësor, Arbër Hoxha. Djaloshi nga Kosova shkëlqeu në secilën ndeshje që luajti në minutat e paktë që pati.

Shpejtësia dhe driblimi i tij mund të bëjnë që Hoxha shumë shpejt ta lë Dinamo Zagrebin për t’u ngritur edhe më tutje në karrierë me një klub nga pesë ligat kryesore në Evropë.

Lojtarët tjerë të Shqipërisë që patën paraqitje të mira dhe mund të ndryshojnë klub në verë janë edhe Qazim Laçi dhe Jasir Asani.

I pari luan në Çeki me Sparta Pragën, ndërsa i dyti në Korenë e Jugut me Gwangju FC.

Edhe lojtarë tjerë si Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti dhe Ylber Ramadani e shumë të tjerë patën paraqitje të mira, por tashmë janë në klube të mira dhe pjesë e projekteve afatgjata. /Telegrafi/

 


Exit mobile version