Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Telegrafi.com, ka thënë se Qeveria duhet të kujdeset që Telekomi të mos falimentojë dhe qëndrojë në trend me rëniet e shitjeve që i ka pasur ndër vite.
Lluka ka treguar se është nënshkruar marrëveshja nga BERZH për angazhimin e ekspertëve që do të bëjnë ristrukturimin e Telekomit.
“Telekomi i Kosovë është një ndërmarrje e një rëndësie të veçantë dhe si e tillë edhe Qeveria duhet të kujdeset që të mos dështoj apo falimentoj dhe në këtë aspekt jemi duke e luajtur rrolin e përshpejtuesit në përkrahjen e Telekomit për sa i përket ristrukturimit në mënyrë që kjo ndërmarrje të ketë mundësi të qëndroj në trend me rëniet e shitjeve që i ka pasur ndër vite. Para pak ditësh e kemi nënshkruar një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ekspertë ndërkombëtar që do ta bëjnë ristrukturimin. Në këtë aspekt kemi bashkëpunim të mirë me BERZH-in dhe me Bordin e Telekomit dhe jemi duke pritur që sa më shpejtë të filloj ky ristrukturim dhe ka një afat prej gjashtë muajsh që duhet të përfundoj”, tha Lluka.
Ai ka thënë se kontrata me Dardafonin është përcaktuese për të ardhmen e Telekomit.
“Kontrata me Dardafonin është shumë përcaktuese edhe për të ardhmen e Telekomit, prandaj është shumë më rëndësi që të kemi kujdes te të gjitha palët e involvuara se si do ta trajtojnë këtë marrëveshje dhe çfarë marrëveshje mund të arrihet”, tha ai.
Lluka ka theksuar se privatizimi është një vendim i duhur me qëllim që t’i sigurohet mbijetesa Telekomit.
“Qëllimi im final do të ishte që 51 për qind të vendimmarrjes ta privatizoj, sepse është praktikë e shumë vendeve të zhvilluara, por është edhe praktikë për ta siguruar që Telekomi do të vazhdoj të mbijetoj me shërbime të mira dhe konkurruese në tregun që e kemi”, tha ministri Lluka.
Në këtë intervistë, Lluka ka folur dhe për pavarësinë energjetike të Kosovës dhe uljen e çmimeve të roamingut. /Telegrafi/