Sulmuesi i Liverpoolit, Darwin Nunez ka mbetur i frustruar mbi faktin se klubi refuzoi një ‘mega ofertë’ nga Al-Nassr për transferimin e tij, para se klubi arab të nënshkruajë me Jhon Duran nga Aston Villa.
Sipas The Sun, klubi arab kishte shprehur interesim serioz për të siguruar shërbimet e Nunez dhe ishin të gatshëm të bëjnë një ofertë të madhe për ta joshur atë të largohet nga ‘Anfield’.
Sidoqoftë, Liverpooli e bëri të qartë se ata nuk e kanë ndërmend ta lejojnë largimin e 25-vjeçarit.
Al-Nassr më pas eventualisht e ktheu vëmendjen e tyre tek Jhon Duran i Aston Villës, duke finalizuar transferimin e sulmuesit kolumbian për 64 milionë euro.
Thashethemet për të ardhmen e Nunez u rritën kur ai u përjashtua nga skuadra e Liverpoolit për humbjen e tyre ndaj PSV Eindhoven në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, Slot më pas e kishte sqaraur se sulmuesi po përballej me një sëmundje të vogël dhe se ai nuk u la jashtë për ndonjë arsye transferimi.
Deri më tani këtë sezon, Nunez ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar katër asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat.
Paraqitjet e tij nuk kanë pasur konsistencë, megjithatë, ai është dëshmuar në disa momente kyçe, duke përfshirë dy golat e shënuar ndaj Brentfordit rreth dy javë më parë./Telegrafi/