Telegrafi

Liverpooli fiton në frymën e fundit me rikthim ndaj Aston Villas dhe ngjitet në pozitën e katërt

Liverpooli ka fituar në fund me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Aston Villas në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Ligën Premier.

Reds kanë arritur të shfrytëzojnë terrenin vendas për të marr një fitore të madhe e cila i ngjet në tabelë apo më saktë në pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve.

Pjesa e parë i takoi për një nuancë vendasve, por golin arritën të shënojnë vetëm mysafirët.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 43-të me anë të Ollie Watkins, i cili shënoi për 0-1 pas asistimi të John McGinn.

Në fakt, golin e gjeten edhe vendasit me anë të Roberto Firminos në minutat shtesë të pjesës së parë, por VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, përsëri Reds ishin më të mirë dhe më kërkues, duke arritur të shënojnë një gol të hershëm dhe një në fund të ndeshjes për të siguruar fitoren.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 57-të me anë të Mohamed Salah, i cili shënoi nga afërsia për 1-1.

Deri në fund të ndeshjes, pati edhe shumë raste tjera, shumica nga vendasit, por goli i fitores erdhi vetëm në minutat shtesë.

Ishte mbrojtësi  Trent Alexander-Arnold, i cili shënoi një supergol për 2-1 dhe ia fitoi tri pikë ekipit të tij.

Pas kësaj fitore, Liverpooli e sheh veten në pozitën e katërt me 52 pikë apo aq sa ka West Hami i pesti, ndërsa Aston Villa zë vendin e 10-të me 44 pikë. /Telegrafi/